Parlamenti Europian ka reaguar lidhur me protestat e dhunshme në Tiranë:

Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, dhe si raportues i përhershëm i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, shprehim shqetësimin tonë të thellë për ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend, dhe në veçanti në Tiranë.

Dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo akt dhune, pasi ato nuk kontribuojnë në një zgjidhje dhe nuk kanë vend në demokraci.

Gjithashtu shprehim shqetësim serioz për raportet e përdorimit të tepërt të forcës policore kundër protestuesve. U bëjmë thirrje autoriteteve të përdorin vetëpërmbajtje. Gjithashtu u bëjmë thirrje organeve përkatëse të bëjnë çmos për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepërt të forcës.

Ne nënvizojmë se e drejta për lirinë e tubimit dhe shprehjes paqësore gëzon mbrojtje si sipas Kartës së BE-së për të Drejtat Themelore ashtu edhe sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Protestuesit – në këtë rast, të rinjtë – kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre. Prandaj, ne i nxisim autoritetet të mbrojnë ushtrimin e lirisë së tubimit, përfshirë protestën paqësore.

Ne bëjmë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë midis të gjithë palëve të interesuara, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje kuptimplote për të adresuar çdo ankesë të shprehur nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet evropiane. Respekti për sundimin e ligjit mbetet pika kryesore referuese dhe kushti i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në rrugën e saj të pranimit në Bashkimin Evropian.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *