“Nis sot operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë. Zyrtarisht Japonia do të jetë e përfshirë në hartën e eksporteve shqiptare”.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili pa nga afër procesin e peshkimit në ujërat e Sarandës.

Rama bëri të ditur se nga tre vende ku eksportohej peshku ton në vitin 2013, “sot janë plot 27 destinacione të tjera”.

Së bashku me Ramën ishte ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, dhe sipërmarrësi nga Shqipëria, Gjergj Luca edhe ata nga Turqia dhe Japonia.

Përfaqësuesi nga Japonia në fjalën e tij theksoi se, “ky biznes është kombinim i dijes më përvojën”.

“Ky lloj biznesi do të jetë sfidues në Shqipëri dhe do të kontribuojë në vëllimet dypalëshe tregtare”, theksoi përfaqësuesi i Japonisë.

Krifca në fjalën e saj bëri me dije se kjo është përvoja e parë e kapjes së peshkut ton në madhësi deri në 300 kg.

Ndërsa përfaqësuesi japonez e mbylli fjalën duke thënë se, “e mira e këtij biznesi është vazhdueshmëria dhe qëndrueshmëria. Kjo mund të sjellë biznese të shumta që lidhen me të që mund të vijnë nga Japonia”.

Kryeministri theksoi se në mandatin e tretë të qeverisë synohet dyfishimi i kësaj industrie.

“Industria shqiptare e peshkimit tanimë është një industri konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe pas pesëfishimit të eksporteve të saj në dy mandatet e para, synojmë dyfishimin në mandatin e tretë”, u përmbyll fjala e kreut një të qeverisë Shqiptare.

Buxheti 2022, në fokus peshkimi

Krifca, së bashku Ramën, gjatë prezantimit të buxhetit 2022 kanë vënë theksin te mbështetja që do i jepet sektorit të peshkimit.

Ky sektor sipas Krifcës ka marrë hov zhvillimi të dukshëm që prej vitit 2013 e që është reflektuar edhe në raportin e Komisionit Evropian të këtij viti.

Nëpërmjet Programit “Mbështetje për peshkimin” do të vihen në dispozicion 702 milionë lekë.

Gjithashtu, ministrja informoi se do të mundësohet rritja e kapaciteteve ankoruese të portit të Durrësit, për të akomoduar në mënyrë të sigurtë flotën më të madhe në vend që përben 60% të totalit.

Por jo vetëm, sipas Krifcës, investime do të kryhen edhe në rritjen e kapaciteteve ankoruese në portin e Shëngjinit, në ristrukturimin e qendrës shtetërore të Zvezdës në Korçë. Si dhe do të vihet në dispozicion skema kombëtare e mbështetjes për të vazhduar me rinovimin e flotës së peshkimit.

Më tej, Ministrja u ndal tek potenciali që ka vendi ynë tek eksporti i açugeve. Sektor për të cilin, janë nisur negociatat me Bashkimin Evropian për rritjen e kuotave të açugeve të përpunuara.

Një ndër premtimet e fushatës zgjedhore për marrjen e mandatit të tretë theksi i Kryeministrit të Shqipërisë, ka qenë pikërisht në rolin qw ka ky sektor për rritjen e ekonomisë së vendit.

“Peshkimi është një nga sektorët ku ka shumë për të bërë, ka dhe shumë për të treguar”, ka deklaruar Rama më herët.