Shqipëria u eliminua nga Euro 2024, pasi humbi në sfidën ndaj Spanjës. Kryeministri Edi Rama thotë se kombëtarja kuqezi e kreu misionin e saj, ndërsa thekson se “skuadra jonë largohet me kokën lart”.
Me anë të një postimi në Facebook, Rama thotë se “Shqipëria luajti futbollin më të mirë ndonjëherë në historinë e saj dhe me mbështetjen fantastike të dallgës kuqezi të Lojtarit të 12-të”.
“FALEMINDERIT. Nga goli më i shpejtë i Europianëve deri në sekondën e fundit të këtij Europiani, Kombëtarja Kuqezi e kreu misionin e saj të pamundur duke luajtur futbollin më të mirë ndonjëherë në historinë e saj dhe me mbështetjen fantastike të dallgës kuqezi të Lojtarit të 12-të.
Sot skuadra jonë e re dhe me një potencial shumë premtues largohet nga ky Europian me kokën lart, për t’u rikthyer në fushë më tej me një eksperiencë shumë të vyer, e cila i mungonte krejtësisht përballë tre nga fuqive më të mëdha të futbollit që u përballën me një Shqipëri të vogël, por me dinjitet të pamohueshëm nga askush”, shkruan Rama në rrjetet sociale.