Mungesa e Edi Ramës në momentin e fotos familjare në samitin e kartës së Adriatikut në Podgoricë, është komentuar nga mediat kryesore në Serbi, përfshi agjencinë e lajmeve Tanjug, B92, gazetën Blic, por dhe shumë media të tjera në Shqipëri .

Të gjitha i janë referuar postimit në Facebook të ish kryeministrit Sali Berisha, sipas të cilit Rama është përjashtuar nga foto familjare për shkak të paraqitjes së tij me atlete në këtë takim.

Top Channel i kërkoi një prononcim zyrtar zyrës së kryeministrit.

Përgjigja ishte kjo: “Kryeminstri Edi Rama udhëtoi për në Podgoricë me helikopter. Aeroporti i Podgoricës ishte i mbyllur për arsye sigurie të fluturimit të Mike Pence dhe rihapej në orën 19:00 pasi të nisej zv. presidenti amerikan”, tha nje burim zyrtar.

“Helikopterët tanë nuk fluturojnë natën, ndaj e vetmi korridor ajror që delegacioni të nisej ishte ora 16:00. Sipas planit fillestar, në këtë orar duhet të kishin mbaruar të gjitha aktivitetet e samitit, përfshirë dhe fotoja familjare. Por samiti filloi me vonesë e gjithcka u shty, edhe foto familjare.” thonë burime pranë Kryeministrisë. Në këto kushte, Kryeministri Edi Rama zhvilloi takimin kokë me kokë me zv presidentin Pence dhe u përshëndet me të dhe të gjithë liderët e rajonit, me pas ai u nis më përpara për shkak të detajeve të udhëtimit.

Veritas.com.al/