Kryeministri Edi Rama premtoi një tjetër paketë ndihme për të sëmurët dhe familjet në nevojë, referuar situatës së rënduar të krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Rama tha se paketa do të jetë gati shumë shpejt dhe do të sigurojë barnat esenciale për të sëmurët, si dhe do të ketë një shtesë të konsiderueshme ndihme për shtresat në nevojë.
“Po të kishim dëgjuar ata, s’do kishim më kokërr leku për të financuar këtë luftë. Komiteti i Ekspertëve ka bërë projeksionin për sa do të jetë infektueshmëria dhe kemi gati edhe një paketë tjetër, që do të dalë shumë shpejt për të mbështetur të sëmurët, për barnat esenciale, qoftë për të mbështetur familjet në ndihmë ekonomike, sepse gjërat mund të shkojnë në drejtime të ndryshme. Ne nuk kemi bërë masa shtrënguese të një natyre si ato që janë bërë në shumë vende, masat tona janë minimale, sepse ne nuk duam ta mbyllim ekonominë, jo sepse mendojmë ta mbajmë hapur e të vdes kush të vdesë, por mendojmë se duhet mbajtur një ekuilibër. Ndaj iu bëj thirrje njerëzve të bëjnë detyrat e thjeshta. Në të gjitha rastet për njerëzit më në nevojë situata është jo e lehtë dhe ne duam që atyre që janë në ndihmë ekonomike, deri në përfundim të kësaj flame, t’i bëjmë një shtesë të konsiderueshme në ndihmë”, tha Rama.
VERITAS.COM.AL/