
“Kur të votoni mendoni të shkuarën”, u shpreh kryeministri Edi Rama drejtuar shqiptarëve në Athinë gjatë një takimi të zhvilluar në kuadër të turit me Diasporën.
Kryesocialisti Edi Rama, u shpreh se shqiptarët zgjodhën rrugën e vështirë atë të emigrimit, duke shtuar se tashmë ka ardhur koha që Shqipërisë t’i kthehet dinjiteti,
“Sot ju i duheni vendit më 11 maj për të realizuar atë që është detyrimi i fundit që çdo prind në të gjithë botën jashtë kufijve të Shqipërisë i ka fëmijëve të vet, që t’u japë pasaportën europiane dhe t’u thotë mësoje gjuhën greke, kulturën, mësoi të gjitha gjuhët e Europës, por nuk ke nevojë të ndryshosh atë që je dhe që e ke të shkruar në pasaportën tënde që je shqiptar. Duke u bashkuar me Edi Ramën dhe PS ke mundësi të shkon në çdo vend të Europës dhe të respektohesh si Europian mes europianëve. Greqia është vendi që keni punuar, por nuk ka nevojë që Shqiponjën ta ndërroni, apo ta harroni. Me pasaportën Europiane të shqiptarëve, ju do të uleni në çdo tryezë të Europës si Shqiponja. Në të gjitha tryezat ku mblidhet Europa, përfaqësuesit e shteteve janë poshtë, ashtu do të jetë përfaqësuesi i shqipes dhe do të flasë shqip dhe të gjithë të tjerët vënë kufjet për të dëgjuar se çfarë thotë shqiptari”, tha Rama.
Po ashtu kryeministri Rama u shpreh se deri në 2027 duhet të mbyllen negoaciatat me Bashkimin Europian duke nënvizuar se kjo është arritur falë punës së palëkundur të Partisë Socialiste, megjithatë nënvizoi se nga ana tjetër edhe Bashkimi Europian ka hapur një derë duke dhënë mundësinë për t’u bërë pjesë e familjes europiane.
“Por shqiptarët nuk duhet të gabojnë, nuk duhet të mendojnë se dera e hapur do të jetë aty e hapur gjithmonë. Përballë këtij treni të historisë që ka ndaluar, nuk duhet të mendojnë se këtë gjë mund ta bëjë çdokush”, tha Rama.
Komente