Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama në deklaratë për shtyp me homologun spanjoll, Pedro Sanchez theksoi se Spanja ka qenë një ndër aktorët më të zëshëm në çeljen e negociatave.
“Kemi pritshmëri të lartë nga presidenca spanjolle që do udhëheqë BE në 2023, në hapje të një sezoni shumë i përshtatshëm për ne, që vijon pastaj me Belgjikën dhe Hungarinë. Janë tre vende në një pozicion të qartë ta palëkundur europianist, të prirura për të mbështetur Ballkanin Perëndimor”.
Kreu i qeverisë shqiptare bëri me dije gjithashtu se kanë folur për rajonin, për nismat rajonale, “mënyrën si mund ta integrojmë me procesin që nis me idenë e komunitetit të ri evropian pa anashkaluar procesin individual të çdo shteti, të krijojmë senergji të re që të na ofrojnë më shpejt”.
Sanchez, të premten nisi një turne në Ballkanin Perëndimor me një vizitë në Serbi.
Nga aty ai ofroi mbështetjen e vendit të tij për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.
Sanchez zhvilloi bisedime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Zyrtarët e BE-së kohët e fundit janë përpjekur të inkurajojnë qeveritë në rajon që të vazhdojnë me reformat. Kjo mes shqetësimeve mbi përpjekjet e Rusisë për të rritur ndikimin e saj në Ballkan.
Zyra e kryeministrit spanjoll tha se do të inkurajojë të gjitha vendet e Ballkanit që të zbatojnë reformat e nevojshme që do t’i lejojnë ata të përshpejtojnë anëtarësimin e tyre në BE.
Po ashtu do t’u përcjellë atyre faktin se mund të mbështeten te Madridi zyrtar gjatë presidencës spanjolle të Bashkimit në gjysmën e dytë të 2023-shit.
Kryeministri synon gjithashtu të tregojë rëndësinë që Spanja i kushton marrëdhënieve dypalëshe politike, ekonomike dhe kulturore me vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe mbështetjen për përpjekjet që ata ndërmarrin për të qenë pjesë e bllokut.
Mbështetje që u përcoll tashmë në një samit të liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor të mbajtur muajin e kaluar në Bruksel përpara takimit të Këshillit Evropian.
Sanchez u zotua të fillojë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe t’i japë statusin e kandidatit Bosnjë-Hercegovinës.