OSBE-ODHIR ka publikuar raportin final për zgjedhjet vendore të 14 majit në Shqipëri. Në raport thuhet se zgjedhjet ishin përgjithësisht të mirëadministruara dhe të zhvilluara me pjesëmarrjen e forcave kryesore politike, por procesi u karakterizua nga polarizimi i vazhdueshëm midis partive kryesore politike dhe një ndarje e thellë brenda opozitës.

Sipas OSBE-ODHIR, konkurrentët mund të bënin fushatë lirisht, por rastet e keqpërdorimit të burimeve shtetërore në nivel qendror dhe lokal, pretendimet për presion ndaj punonjësve të sektorit publik dhe votuesve, dhe pretendimet për blerje votash ishin shqetësuese.

Sa i takon ditës së zgjedhjeve, OSBE thotë se ishte përgjithësisht paqësore, procesi u ndikua negativisht nga raste të shumta të ndërhyrjeve partiake si dhe nga problemet teknike dhe procedurale, votimi i gjerë në grup dhe problemet me fshehtësinë e votës.

Këto janë disa nga konkluzionet kryesore nga raporti përfundimtar për zgjedhjet vendore në Shqipëri 2023, i publikuar sot nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR). Raporti ofron 27 rekomandime për afrimin e zgjedhjeve në Shqipëri në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike.

Rekomandimet kryesore përfshijnë:

Identifikimi dhe hetimi i pavarur i të gjitha pretendimeve për shkelje zgjedhore, përfshirë blerjen e votës, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërore;

Të rritet ndërgjegjësimi për fenomenin e kahershëm të blerjes së votës dhe dënimi publik i praktikave të tilla;

Zbatimi i masave mbrojtëse efektive që sigurojnë fshehtësinë e votës dhe parandalojnë frikësimin e votuesve, votimin në grup dhe në emër të përfaqësuesit;

Angazhimi për reformën zgjedhore dhe adresimi i të gjitha rekomandimeve të ODIHR-it për të siguruar një kuadër zgjedhor gjithëpërfshirës dhe konsistent;

Rishikimi i dispozitave ligjore në lidhje me fushatën, përfshirë ato kundër keqpërdorimit të burimeve shtetërore, për të hequr paqartësitë dhe për të siguruar kushte të barabarta loje;

Sigurimi i zbatimit të drejtë të ligjit për të drejtën e informimit dhe mbështetja e gazetarisë së pavarur;

Sigurimi i stabilitetit të administratës zgjedhore duke përjashtuar zëvendësimet arbitrare të anëtarëve të administratës zgjedhore dhe duke rishikuar sistemin e emërimit të anëtarëve dhe sekretarëve të komisioneve të nivelit më të ulët;

Shmangia ose kufizimi i përdorimit të materialeve të paatribuara të prodhuara nga partitë ose autoritetet shtetërore në programet e lajmeve dhe informative gjatë fushatës zgjedhore./