Të gjithëve iu duk i çuditshëm Twitteri i Edi Ramës për ta shpallur ditë pushimi, të hënën, që kishte si arsyetim miratimin e reformës në drejtësi. Pastaj Lapsi.al vuri re që 25 korriku na qenkësh edhe ditëlindja e djalit të vogël të kryeministrit dhe gjithçka mori kuptim. Nga Edi Rama, në këto tre vjet ishin parë kapriço nga më të çuditshmet. Kur mendon se e gjitha i ngjan një skeçi humoristik, në skenë del Drejtoresha e Doganave, që kundërshton publikisht vendimin e qeverisë. Pranvera Fagu njoftoi vartësit që të hënën të dalin në punë, të gjithë pa përjashtim, duke refuzuar zemërgjerësinë e kryeministrit.
Metafora qëndron. Në këto vite doganat dhe sistemi i drejtësisë kanë folur me të njëjtën gjuhë, atë të parasë. Perceptimi është se doganierët dhe gjykatësit janë ndër strukturat më të korruptuara të atij që e quajmë shtet. Vendimi për të mos festuar rënien e këtij sistemi gjyqësor, ka mbështetjen e të gjithë doganierëve shqiptarë. Jo më kot, përveç doganierëve kanë refuzuar edhe politikanët, sepse parlamenti do të mblidhet të hënën. Sa për ditëlindjen e Zahos, drejtoresha e doganave, me siguri nuk do ta harrojë një urim për kryeministrin, pse jo të shoqëruar me një dhuratë. (marre nga Lapsi.al)