Nesër, e hene, Komisioni për Reformën Territoriale do të hapë siparin e kësaj jave në Kuvendin e Shqipërisë.
Në orën 09:00 të mëngjesit të së hënës, ekspertët e opozitës do të publikojnë raportin e tyre final.
Grupi Parlamentari i PD-së, i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, siç e ka bërë të ditur edhe më parë do të propozojë rritjen e numrit të bashkive nga 61 në 92 bashki dhe uljen e numrit të qarqeve në 6 rajone.
Nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.
Mazhoranca i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe, por e ka lënë të hapur rrugën e negocimit vetëm për grupimin Alibeaj.
PS ka artikuluar së fundi se mund të lëvizë vetëm me një numër të vogël bashkish, nga qëndrimi i saj i parë të mos prekur ndarjen me 61 të tilla, që është aktualisht.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fund të mbledhjes së grupit javën që shkoi tha se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.
“Ka pasur propozime edhe për zvogëlim edhe për zmadhim të numrit. Nisur nga fakti që kanë kaluar vetëm 7 vite nga reforma e fundit. Të gjitha reformat janë përmirësuar. Ne kemi përmirësuar edhe shërbimin online. Kemi konkluduar që pozicioni ynë në komisionin e posaçëm është t’i qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.”, tha Balla nga Kryesia e Kuvendit.
Ndërsa grupi i Sali Berishës kërkon shtim të numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 95, si dhe kalimin në 5 rajone nga 12 qarqe që janë aktualisht.
E paqartë mbetet nëse harta e re territoriale do të jetë e vlefshme për zgjedhjet lokale të vitit 2023 apo për të 2027-ës, pasi koha për miratimin e tyre është në limite.
Por e hëna nuk ndalet vetëm tek territorialja, pasi në ora 15:00 do të vijojë punën edhe Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore.
Pasi u mandatua në fillim të shkurtit, komisioni që bashkëdrejtohet nga Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi zhvilloi në qershor mbledhjen e parë.
Kuvendi në fillim të shtatorit e zgjati sërish mandatin edhe me gjashtë muaj të tjerë pas dakortësisë mes PS dhe PD.
Në mbledhjen e së hënës pritet që anëtarët e këtij komisioni të përcaktojnë kalendarin e punës dhe seancat dëgjimore.
Ndryshe nga “Territorialja”, zgjedhorja nuk ka presionin e kohës, pasi ndryshimet ligjore pritet të implementohen në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Pasdite, prej orës 17:00 kuvendi do të mblidhet në seancë plenare. Deputetët janë të thirrur të ligjërojnë nga foltorja e kuvendit, problematikat e zonave të tyre pas javës së gjelbër që duhet ta kenë shfrytëzuar për takime me elektoratin.