Prej disa ditësh, në mediat e vendit po ngrihen zëra revolte kundër një paragrafi të parashikuar në ndryshimet kushtetuese, me të cilin kufizohet liria e shprehjes dhe e shkrimit nga gazetarët. Veëanërisht ndëshkohet investigimi në media.
Në atë paragraf me nr 13 ishte definuar kështu: “Çdo lloj ndikimi i papërshtatshëm mbi punën e prokurorëve dhe veprimtarinë e tyre në çështje konkrete i ushtruar përmes autoritetit publik, mediave apo me çdo lloj mjeti tjetër apo personave të tjerë që cenon pavarësinë e prokurorëve në ushtrimin e detyrës së tyre është i ndaluar dhe dënohet sipas ligjit.”
Gazetarët, shoqatat e gazetarëve dhe politikanë opozitarë kundërshtuan miratimin e këtij neni, që në fakt mund të keqpërdoret për të ndaluar veprimtarinë investiguese të gazetarëve. Autoritetet qeveritare, deri edhe kryeministri, dolën në publik dhe deklaruan se “neni ishte një gabim, e korrigjojmë menjëherë”. Madje, disa prej tyre shfaqën çudi: “Ou!, si paska kaluar ky nen? Kush e futi, se nuk ishte?”. Kryetari i Komisionit të Posaçëm, Fatmir Xhafa, bëri në mënyrë indirekte përgjegjës për futjen e nenit 13 ekspertët ndërkombëtarë dhe vendas. LSI ngarkoi me përgjegjësi edhe Xhafën, duke thënë se ligji ishte futur në shkelje të procedurave parlamentare.
Kryetari i Kuvendit foli për një veprim të paqëllimtë. Por përsëritja e këtij neni në dy ligje të ndryshëm hedh poshtë çdo justifikim, pasi dëshmon se gjithçka ka qenë e paramenduar.
As tri ditë qetësi nuk kaluan. Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, dje paraqiti një paragraf tjetër për “korrigjimin” e paragrafit ndalues. Por është i njëjti paragraf, ai që ishte. Është bërë veç një ndryshim: Në vend të fjalës “media” është përdorur tog-fjalëshi “mjete të informacionit”. Ka edhe një ndryshim tjetër: I pari ishte paragrafi me nr. 13, ky i dyti ëhstë me nr. 6. Shumë ironike!
Gazetarët dhe shoqata të gazetarëve po reagojnë kundër këtij paragrafi, që siç thonë “burgos gazetarët”. Por nuk ka asnjë reagim tjetër të rëndësishëm. Kuvendi dhe institucionet e tjera të shtetit ndjehen të qeta. Qetësia e tyre bazohet në paradigmën se “Reforma është gjithçka..”, që nënkupton se “edhe po të shkelen të liritë e individit dhe principet e demokracisë, punë e madhe!”. Për lirinë e mediave nuk ka shumë vëmendje.
Në këtë pozitë e ka prurë situatën presioni për të miratuar ligjin mbi Reformën në Drejtësi “sa më shpejt, si të jetë, hajde shpejt!”