Shqipëria ka caktuar një datë për zgjedhjet parlamentare, 18 Qershorin, por tanimë nuk besohet se kjo do të jetë data e vërtetë. Derisa të vijnë zgjedhjet, emrat e ligjvënësve në Kuvend pritet të ndryshojnë sërish.
Pas dorëheqjes nga mandati i deputetit nga ana e Armando Prengës, lidhur me akuzat për të shkuarën e tij kriminale, një tjetër telash ka dalë në horizont për Partinë Socialiste.
Kjo pasi edhe kandidati tjetër për deputet në listë, i radhës dhe i fundit, Kastriot Piroli, nuk mund të futet në Kuvend si ligjvënës për shkak se është dënuar në vitin 2016, për veprën penale “shpërdorim detyre”, gjatë kohës që ushtronte detyrën e Drejtorit të Hipotekës së Kurbinit.
Për këtë arsye, ai ka refuzuar që të ndërmarrë këtë rrugë, fundi i së cilës dihej tashmë, pasi preket nga ligji i dekriminalizimit. Mirëpo kjo ka bërë që të “shterojë” lista e kandidatëve socialistë në Lezhë.
Në mënyrë të përmbledhur, nga lista e kandidatëve për zgjedhjet e vitit 2013, PS kishte 7 emra në qarkun e Lezhës, dhe ka fituar vetëm dy mandate: Mimi Kodhelin dhe Armando Prengën.
Por me marrjen e statusit të Ministres së Mbrojtjes, Kodheli dorëzoi mandatin, duke i lënë kështu mundësinë të hynin në parlament gratë pasardhëse në listë: Merjeme Delishi dhe Mirela Neli. Por që të dyja nuk pranuan të merrnin mandatin, duke bërë deputet në këtë mënyrë të tretin në listë, Arben Ndokën.
Kur dukej se kjo çështje u zgjidh, rezultoi se Ndoka jo vetëm kishte probleme me drejtësinë, por ishte edhe me precedentë penalë. Mandati i tij i kaloi Eduard Ndocajt. Ndërsa kandidati tjetër në listë Ndrec Dedaj u bë kryetar i bashkisë Mirditë, duke e ezauruar të gjithë listën e kandidatëve dhe duke lënë vetëm një emër: atë të Kastriot Pirolit.
Duke qenë se edhe Piroli nuk mund ta marrë mandatin për të njëjtat arsye të së shkuarës së tij kriminale, atëherë në bazë të përcaktimit të bërë me ligj, ky mandat i kalon Lëvizjes Socialiste për Integrim. Konkretisht, do të jetë Petrit Preng Gjoni nga radhët e LSI-së, që do t’i japë fund kështu sagës së deputetëve socialistë me precedentë penalë në qarkun e Lezhës.
/Veritas.com.al/