FNSH dhe RENEA kanë zhvilluar kontrolle në shtëpinë e bosit të lojërave të fatit Ervis Martinaj, i cili rezulton i zhdukur prej 5 muajsh. Lajmi konfirmohet nga Report Tv, ndërsa kontrolli është ushtruar orët e para të mëngjesit së ditës së sotme në shtëpinë e Martinajt në Fushë Kuqe të Kurbinit. Kontrolli vjen në funksion të hetimeve që po kryhen mbi zhdukjen e 40-vjeçarit, dhe ngjarjeve të tjera kriminale në këtë zonë. RENEA ushtroi kontrolle për rreth pesë orë, por ende nuk ka asnjë detaj nëse policia ka gjetur gjurmë që mund t’i shërbejnë hetimeve.
Përveç kontrolleve në shtëpinë e Ervis Martinajt, objekt i kontrolleve të forcave të policisë ishin edhe banesa dhe ambiente të tjera, përfshirë të njohur dhe familjarë të tij, përmes së cilave synohet të sigurohen prova për t’i dhënë një përgjigje fatit të Martinajt.
Ervis MArtinaj ezulton i zhdukur që prej 9 gushtit të këtij viti. Gjatë kësaj periudhe policia ka kryer disa kontrolle në kërkim të tij në qytete të ndryshme, operacione të cilat janë mbajtur diskrete. Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka zgjedhur që të përgjigjet shkurt mbi hetimet duke thënë se jane ne rruge te mbare.
Zhdukja pa lënë gjurmë e Martinajt ka ardhur pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani gjatë muajit maj në kuadër të operacioni Plumbi i Artë, kohë kur Martinaj u shpall në kërkim nga SPAK. Dumani ka thënë se Martinaj e kishte paguar për të vrarë Indrit Doklen. Ai ka dëshmuar se Martinaj ka qenë i gatshëm të paguante 500 mijë euro për këtë vrasje. Vetë Nuredin Dumani ka thënë se ka marrë porosi nga Ervis Martinaj për ta vrarë, ka rënë dakord që Ervisi të jepte për vrasjen e Indritit shumën prej 500 000 Euro dhe se ka marrë paradhënie shumën prej 100 000 Euro. Kujtojmë se Indri Dokle ka qenë numri 2 i Bandës së Durrësit dhe është i dënuar për “Krijim i organizatës kriminale”, “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të organizatës kriminale.
Nga hetimet që po kryhen për zhdukjen e Martinajt esshte lene ne burg një efektiv policie Jeton Lami, me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe dekonspirimit të operacioneve policore. Teksa po hetonte për zhdukjen e të shumëkërkuarit, policia zbuloi se për t’u arratisur, Martinaj ishte ndihmuar edhe nga Lami, i cili u prangos më 23 gusht nga policia e Lezhës.
Ervis Martinaj është një prej njerëzve më të njohur të botës së krimit në vend. Ai është konsideruar si një nga njerëzit më të rrezikshëm në Tiranë, i akuzuar për vrasje dhe i dyshuar për disa ngjarje të rënda, që kanë tronditur kryeqytetin.