Nga: Daily News/
Si rrallë herë, tabloidi i madh britanik “Daily Mail”, ka botuar brenda një dite tre shkrime për fëmijët e pashoqëruar shqiptar që kërkojnë azil në Britani.
Duke botuar foto të shumta të marra nga Facebook-u i të rinjve që pozojnë rrugës për në Britani të fshehur nëpër kamionë apo kur kanë mbërritur atje për azil, gazeta përmes të dërguarit të saj në Krumë të Shqipërisë, thekson se familjet e tyre e pranojnë hapur se i dërgojnë fëmijët e tyre në Britani për një jetë më të mirë.
Shumica e tyre përfundojnë në kujdesin social dhe strehohen nëpër familje angleze ose bien në mëshirën e kriminelëve, duke u shndërruar në korrierë të shpërndarjes së drogës.
Duke e cilësuar Krumën si “lagje të Londrës”, tabloidi britanik me një qëndrim të njohur anti-emigracion, citon zëvendës-ministren e Brendshme shqiptare Rovena Voda, t’i ketë thënë Daily Mail se “ndryshe nga Gjermania, Franca apo Holanda, është qëndrimi i butë i Britanisë që nuk kthen të rinjtë e pashoqëruar që u është refuzuara azili, duke u shndërruar në vend akoma me atraktiv për të rinjtë shqiptar.”
Ajo sugjeron se paratë që shpenzon Britania dhe që do i kursente nga mos-ofrimi i kujdesit social për këta të rinj, mund të investoheshin në projekte në Shqipëri, për të inkurajuar të rinjtë të qëndronin në Shqipëri dhe jo të shkonin në Britani.
Sipas zv-Ministres së Brendshme shqiptare, këta fëmijë nuk janë trafikuar kundër vullnetit të tyre në Britani, por shumica dërgohen nga prindërit dhe të afërmit e tyre deri në mes të rrugës dhe e bëjnë një gjë të tillë për arsye ekonomike. Sipas Rovena Vodës që e citon Daily Mail e Londrës, kërkesat e të rinjve që kërkojnë azil për gjakmarrje janë të rreme.
Sipas zyrtares së lartë shqiptare, media sociale është një probleme për shkak të imazhit fals që portretizon për jetën në Britani. Fëmijët e pashoqëruar shqiptarë vitin e kaluar ishin të dytë për nga numri, pas atyre nga Siria që kërkonin azil në Britani.
Faktikisht jo vetëm të rinjtë,por ka edhe grupmosha të tjera më të mëdha që vijnë në numra të mëdhenj në Britani për të jetuar qoftë edhe ilegalisht.
Një zëdhënës i Home Office thotë se “për shumicën e fëmijëve të pashoqëruar shqiptar që kërkojnë azil në Britani, rezulton se ata nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare dhe autoritetet britanike po punojnë për gjetjen e mënyrave të sigurta dhe efektive për rikthimin e tyre në Shqipëri, ku në shumë raste ata ribashkohen me familjet e tyre.”