Nga Fahri Balliu/

…Në Donofrosë, komisioni i ndarjes së tokës që morri fshatarësia krijoi një sherr me kooperativistin Gëzim Metohu, i cili kishte pretendime nga më të ndryshmet. Sherri vajti deri aty sa komisioni u detyrua t’i kujtojë Gëzimit se ata ishin njerëz të partisë dhe pushtetit dhe se po kryenin një detyrë të ngarkuar prej tyre.

Gëzimi, me gjaknxehtësi s’dha e s’mori, por e vuri përpara komisionin me të shara që shkonin shumë larg. Pra, jo vetëm anëtarët e komisionit, por pikërisht atë që përpiqeshin të përfaqsonin ata, ky kooperativist i fyeu duke konsumuar kështu një akt që sipas ligjshmërisë në fuqi përbën krim.

Për këtë arsye ai arrestohet dhe gëzimi i marrjes së tokës, si dhe gëzimi i një dasme ku merrte pjesë familja dhe tërë farefisi i tij, u prenë në mes. Të gjithë dasmorëve u vinte turp për atë që ndodhi, për atë që u bëri njeriu i tyre. Nga ana tjetër, ranë në një fatkeqësi që s’mbahet mend ta kishte provuar ndonjë fis aty rrotull. Tamam në këtë çast që do ta quaja “çasti i këngës së prerë” në dasmën e prishur nga kjo ngjarje, erdhi sekretari i parë i Komitetit të Partisë së rrethit, Hysen Shahu. Ai kishte përpara syve tani vetëm portrete të pikëlluara dhe i buçitnin në vesh mendimet e disa shokëve të fshatit. Pra, shprehje të tilla: “shoku sekretar, ai ka prekur me gjuhë të poshtër gjërat tona më të shenjta. Ai ka sharë secilin nga ne në fshat derisa fyeu komisionin. Mirë t’i bëhet, atje e ka vendin!”.

Pastaj vinte dosja ku Gëzim Metohu ishte marrë i pandehur. Tabloja ishte kjo: Një dasmë e ngrirë, një djalë i shtëpisë i arrestuar për shkelje ligji, dëshmitarët pohojnë….përfundimisht, sekretari i parë, shoku Hysen Shahu, duke konsideruar si të vlefshëm e si rrugë korigjimi lirimin e Gëzim Metohut, mundi që me argument të një vështrimi të gjerë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për ekzekutimin e saktë të ligjit, sugjeroi si qytetar e komunist që Gëzimin ta gjykonte vetë fshati dhe kështu mundi ta sjellë mes njerëzve të porsaarrestuarin.

Pjekuri, kulturë shirtërore, kulturë politike e dashuri për njeriun dhe jetën e tij të shenjtë, tregoi dhe vetë kryetari i hetuesisë, Maks Çifligu. Si ai dhe të tjerë shokë që merreshin me këtë çështje.

Kështu, dasma rinisi me një përlotje në sytë e njerëzve, si një vesë e kthjellët e asaj vjeshte të bukur dhe, natyrisht, me një dolli për Partinë…

(Marrë nga ‘Udhërrëfyes i Reportazhit Shqiptar’)

Veritas.com.al/