E veçanta e prof. Rexhep Qoses është në vetë vokacionin e tij. Ai as njëherë nuk e ka braktisur shqiptarinë për të hedhur ide dhe teza për ngritjen kulturore-politike të shqiptarëve përballë modernitetit. Në orët e fundit është shkruar shumë për të dhe kontributin e tij në Kosovë e Shqipëri dhe kjo përbën nga ato rastet kur autori e ndjen dhe ka mundësi t’i lumturohet ndikimit të veprës së vet, qysh nw gjallje. I tillë është diapazoni i veprës së vet, që përfshin individualitetin në kulturë, filozofinë politike, krijimtarinë e gjerë në prozë, publicistikës, erudicionit, por edhe angazhimit intelektual të spikatur në sfida madhore të vendit.
Mosha i ka dhënë peshën që të gjykojë thellë për jetën, ligjet e saj ciklike por edhe të bëjë sinteza të thella falë njohjes së disa disiplinave shkencore.
Ishte nga të parët intelektualë kosovarë që shkroi madje edhe në gjuhën serbo-kroate për të vërtetat e popullit të Kosovës, një mision që me kalimin e kohës do të shkonte paralel me të vërtetat universale. Kjo e bën që të përballet intelektualist ndaj idealeve të larta njerëzore për drejtësi, barazi, liri, emancipim kombëtar e shoqëror.
Dhe, realisht, ndryshe nga shumë kolegë të tij intelektualë që në vitet ’80 heshtën apo u bënë shtrojsë për regjimin duke u munduar të flirtonin, ai jo vetëm nuk e ndali përpjekjen, ndërkohë që statura e lartë profesionale nuk e lejonte të xhelozohej për tituj e grada. Në Shqipëri u bë shpejt i njohur me “Panteonin e radhuar”, por më shumë se kaq mendimin e tij kritik shumw tw avancuar në letërsi.
Kur aguan vitet 90-të, Qosja u mundua të distancohej nga pacifizmi me atë besimin klasik të Rugovës që liria do të fitohej me dialog në tavolinë. Si malësor e dinte mirë se liria gjithnjë ka çmime. “I lindur në një trevë të Shqipërisë, ku gjaku shqiptar kishte rrjedhë lumë për ta mbrojtur Plavën, Gucinë, Anamalin e Ulqinin, ai ishte rritur tok me preokupimet e brezit të tij.
Duke ditur mirë sesi ngrihen lëvizje kundërshtuese dhe duke pasur parasysh evolucionin e rrjedhave historike të kundërshtive ndaj regjimit, ai u mundua që këto qëndrime t’ia përcillte dhe publikut”, u tha në Akademinë e krijuar për të.
Si pak të tjerë, që mundohen që lëvizjen për Çlirimin e Kosovës e lidhin vetëm në vitet e fundit, ai është pjesë e asaj trashëgimie që evokoi traditën e rezistencës kosovare të viteve 1963-1968-1981, nga ku doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Rruga e tij dihej tashmë. Ai jo vetëm do ta mbështeste UÇK-në, por ofroi të gjithë asistencën e tij intelektuale që kulmoi me angazhimin direkt në delegacionin e Konferencës së Rambujesë.
Por duket se këtu ishte fundi, pasi edhe me gjithë angazhimin e tij në vitet e para, ai do përballej me një takëm tjetër pushtetarësh, bashkëkombasit që donin të pasuroheshin dhe të abuzonin me termat e luftës, duke u munduar ta shmangnin dhe ta anatemonin.
Rexhep Qosja i dërrmoi me kritikat e tij të pamëshira dhe u mundua me të gjithë peshën e penës së tij t’i anatemonte, duke treguar se populli kosovar nuk i meritonte.
Për më tepër, ai do të mbante mbi vete dhe shumë anatema, që gjithsesi nuk mund ta tundnin nga vendi profesorin me një karrierë e punë të madhe studimore që përfshin një periudhë plot 60-vjeçare, në të gjitha fazat e zhvillimit. “Vepra e tij është e pamoshë”, u shpreh kryeministri Kurti, që asistoi vetë në nderimin ndaj tij. Vetë Qosja e ka lënë së fundmi me një poezi, që gjendet në një veprat e fundit, qëndrimin përballë kësaj gjendje si edhe shkallën e tërheqjes ashtu si nga ana tjetër edhe mënyrën e kumtit të vet ndaj zhvillimeve tw sotme para shqiptarwve:
‘Fol shkurt, sa më shkurt
Kudo e kurdo në dritë e në terr është mirë të flasësh shkurt!
sa më shkurt sidomos me prokurorët e rinj
sa më shkurt me gjykatësit e vjetër
shkurt me priftërinjtë e çdo feje
shkurt me profesorët e zgjuar
shkurt me mjekët e çmuar
dhe me gratë e hirta
mëse u flet gjatë
ta kthejnë shkurt
shumë shkurt
dhe bosh
bosh
bo
sh!.
(Koment nga Java News)
Opusi krijues i Rexhep Qoses
Siç u tha më lartë, vepra e Rexhep Qoses është e shumanshme dhe numerikisht e madhe. Duke lënë jashtë shumë vepra të tjera, më poshtë po japim vetëm kompletin e veprave në 29 vëllime që në vitin 2010 Instituti Albanologjik i Prishtinës botoi. Në pesë cikle gjenden këto vepra:
- Veprat historiko-letrare:
- Vazhdimësi, 2. Panteoni i rralluar, 3. Asdreni – jeta dhe vepra, 4. Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, 5. Anatomia e kulturës, 6. Nocione të reja albanologjike, 7. Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 1, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 2, Historia e letërsisë shqipe – Romantizmi 3, 8. Porosia e madhe, 9. Tri mënyra të shkrimit shqip, 10. Semantika e ndryshimeve historiko-letrare.
- Veprat letrare:
- Antologjia e lirikës shqipe, 12. I ringjalluri i penduar, 13. Mite të zhveshura, 14. Vdekja më vjen prej syve të tillë, 15. Një dashuri dhe shtatë faje, 16. Nata është dita jonë, 17. Bijtë e askujt 1, Bijtë e askujt 2.
III. Veprat historike dhe historiko-dokumentare:
- Çështja shqiptare – historia dhe politika, 19. Programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve, 20. Paqja e përgjakshme, 21. Tronditja e shekullit 1, Tronditja e shekullit 2, 22. Rilindja e dytë.
- Veprat publicistike:
- Populli i ndaluar, 24. Strategjia e bashkimit shqiptar, 25. Ligjërime paravajtëse, 26. Fjalor demokratik, 27. Demokracia e shpërdorur, 28. Intelektualët, etika dhe politika.
- Veprat polemike:
- Morfologjia e një fushate, Ideologjia e shpërbërjes, Realiteti i shpërfillur, Të vërtetat e vonuara.
Përse po shkruaj?!
Pak muaj më parë autori solli romanin e radhës, “Të fshehtat e treguara” i cili u botua nga “TOENA” në Shqipëri. Më shumë sesa për të thënë fjalë për të, duket se vetë-shpjegimi i veprës së tij tregon shumë. “Gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes është gjuha standarde me kufij të zgjeruar. Asaj nuk mund t’ia veshësh treguesit e asnjë idiomë organike, edhe pse brenda saj përdallojmë veçori të folme gege, në rend të parë njësi leksikore të ligjërimit gegë, por edhe shmangie të qëllimshme në nivele të ndryshme gjuhësore. Në të vërtetë gjuha e romaneve të Rexhep Qosjes është gjuha standarde në kuptimin jo vetëm të përfshirjes, por edhe të krijimit të risimeve gjuhësore të nevojshme për shprehjen e tij gjuhësore-artistike. Këto risime në rend të parë i hetojmë në rrafshin strukturor dhe në rrafshin leksiko-frazeologjiko-sintaksor”, shprehet studiuesja e njohur e letërsisë Shefkie Islamaj.
PSE PO E SHKRUAJ KËTË ROMAN?
Nga Rexhep Qosja
Posa ulem në karrige, afër tryezës së punës, në të cilën i kam shkruar pothuaj të gjithë ata libra që kam shkruar deri sot, e, mjerisht, janë më shumë se ç’do të ishte mirë për mua, m’u bë se tryeza disi e mpakur nisi të largohet prej meje.
Hej! Hej, ku do? E pyes, por ajo nuk më përgjigjet.
Je në vete apo je çmendur në këtë vapë të madhe? E pyes prapë duke mos menduar se me këtë pyetje mund ta hidhëroj, por ajo as në këtë pyetje nuk më përgjigjet.
Në vend që ta bezdis më tej me pyetje, duke pritur potë e jo-të, u turra pas saj, natyrisht i ulur në karrige, derisa ajo, tryeza e punës, nuk u ndal te muri, në anën e djathtë të dritares.
Këtu e kam vendin unë e jo atje në mes të dhomës, tha. Tani unë po të pyes ty se kush më ka qitur atje dhe më ka qitur atje, në mes të dhomës, pa më pyetur?
Nuk dita t’i përgjigjem se kush e kishte hequr tryezën e punës prej vendit ku kishte qenë gjatë pesëdhjetë e pesë vjetëve dhe e kishte vënë në mes të dhomës, thuajse tani e tutje nuk do të shkruhej më në të, por do të luhej bixhoz!
Ndjeva një siklet, plot gëlimmendor që ma kishte sjellë në mendje atë shkrimtarin e mendimtarin e Italisë, Umberton, Umberto Ekon, i cili thotë se kishte ndier njëfarë sikleti kur ishte ulur të shkruante romanin e tij, nuk e di a ishte i fundit a i parafundit, Varreza e Pragës.
Dhe, i sigurt, prej këtij sikleti, më doli gjumi.
Ndoshta më shpejtueshëm se mëngjeseve të tjera çka mendova se duhej bërë për ta marrë veten.
Vërej: asnjë send në dhomë nuk lëviz, as ato sende që janë në dysheme, as ato që janë në mure e në dritare e as ato, të paktat, që janë ngjitur në tavan.
Dëgjoj: ushtima e veturave dhe automjeteve të tjera në rrugën, që s’është larg shtëpisë sime, është e njëjtë dhe i njëjtë është edhe zëri i papagallit në kafazin e tij në paradhomë.
Prek: prek njëherë me dorën e djathtë e, mandej, edhe me të majtën, sendet që kam afër e, mandej, kur çohem në këmbë, edhe sendet e tjera nëpër dhomë: edhe sendet janë të qeta, edhe duart e mia janë të dëgjueshme!
E, mandej, ndoshta më ngadalë se mëngjeseve të tjera, bëj çka duhet të bëhet për ta quajtur veten të përgatitur trupërisht dhe shpirtërisht për t’u ulur në karrigen në të cilën gjatë pesëdhjetë e pesë vjetëve jam ulur pranë kësaj tryeze, që është ku kishte qenë gjithnjë: e mbështetur për muri në anën e djathtë të dritares së djathtë të dhomës, që quhet e imja.
Dhe, në karrigen pesëdhjetepesëvjeçare ulem pa u liruar prej sikletit që më ka shkaktuar ëndrra e rrëfyer, ndoshta jo me të gjitha cikërrimat që përmban ajo, që, mendoj, nuk do të duhej t’ia tregoja lexuesit.
Vë bërrylat në tryezë, i afroj letrat e bashkuara me një kapëse të bardhë, i afroj tre lapskimikët e trashësive të ndryshme me të cilët shkruaj – jo gjithnjë, duke i ndërruar pas çdo dy a tri orësh dhe nuk lë pa e afruar edhe celularin të cilit pa harruar ia shurdhoj zërin, kur të fortë e kur të squllët.
Marr lapskimikun e kaltër dhe ia afroj fletës së bardhë dhe shkruaj fjalën e parë të romanit Ajo, por shpejt i bie vijë dhe shkruaj emrin Havaja.
Por, ndiej: sikleti nuk më ka kaluar.
Uni im i parë pyet Unin tim të dytë: përse nuk të kaloi ai siklet?
Por, Uni i dytë, ndoshta pse është i dytë, nuk i përgjigjet Unit tim të parë. Dhe, nuk i përgjigjet ndoshta bash pse është Unë i dytë e Uni i dytë, si të gjithë unët e dytë, dëshirojnë t’i mistifikojnë përgjigjet që duhet t’u jepen pyetjeve të unëve të parë.
Megjithëse i kam lexuar shumicën e veprave të Umbertos, të Umberto Ekos, jo vetëm ato letrare, por edhe ato teorike e estetike, nuk mund të them se i kam të qarta arsyet e sikletit që i shfaqej kur ulej të shkruante romanin Varreza e Pragës, e, ndoshta, jo vetëm kur ulej të shkruante këtë roman të madh me sasi e me cilësi, por edhe kur ulej të shkruante edhe veprat e tjera, sidomos romanet e tjera. Mesjeta, prej së cilës vijnë pothuaj të gjitha temat e motivet e romaneve të tij, janë përplot jezuitë, masonë, satanistë, satanistë histerikë, karbonarë, maxinianë, thika, kama, sakica të ndryshkura, të vdekur që ngjallen, të gjallë që vdesin pa vdekur, kryqtarë e të tjerë të ngjashëm e të pangjashëm, që mund t’i kenë shkaktuar siklete të ndryshme më të shkurtra e më të gjata Atij, Umbertos.
Por, rrëfimtari i romanit me protagonistë Bardhin e Havanë mund të ketë edhe disa arsye të tjera pse sikletoset, që nuk i ka pasur shkrimtari i Italisë. Për dallim prej italianit, për mua të përveçuar, që nuk frikësohet se mund të dalë dikush e të kërkojë prej tij të shkruajë kështu e të mos shkruajë ashtu, rrëfimtari, që po rrëfen i privilegjuar si autor i romanit që do të lexoni, mund ta marrë me mend se krejt kush, i madh e i vogël, i fuqishëm e i lig, do t’i thotë të shkruajë kështu e të mos shkruajë ashtu, të shkruajë këtë e të mos e shkruajë atë, të shkruajë për njërin çka i thuhet e të mos shkruajë për tjetrin çka ai do pra, pra, ta përsëris mendimin: të shkruajë për njërën çka i thuhet e të mos shkruajë për tjetrin çka ai do.
Do, do, do! S’do, s’do, s’do!
I mbyll dhe i çel sytë nëntë herë me shpresë se sado pak do të lirohem prej sikletit, që mund të më kallë krupën, që më ishte shfaqur pas ëndrrës që kisha parë mbrëmë s’e dija ende mirë, saktë, në orën sa pas mesnatës. Ngre kryet përpjetë kur symbyllur e kur syçelur; ul kryet teposhtë kur symbyllur e kur syçelur duke kujtuar Budën, Jezuin dhe Muhametin mos ata me engjëjt a djajtë që urdhërojnë do të më lirojnë prej sikletit, por, kot: sikleti po ma sundon shpirtin. Krupa po më zë frymën!
Nuk e di pas sa kohe qërimhesapesh të brendshme me vetveten, në mbamendjen time shfaqet zgjidhja e shprehur me këtë fjali: ke vendosur të shkruash për Një siklet të madh shpirtëror dhe për Do siklete shoqërore, prandaj, nuk e di pse ke harruar se më mirë shkruhet kur ke siklet sesa kur je i gëzuar.
Fillo të shkruash! Rrëfe për veten fare pak dhe rrëfe për të tjerët, shumë, për disa shumë të njohur, disa më pak e disa aspak të njohur ende. Mos u sikleto nëse do t’i bëjë të njohur apo të çnjohur rrëfimi yt dhe rrëfimi mbizotërues i protagonistit tënd.
Dy rrëfimet e romanit dhe rrëfimtari e dy protagonistët do të kujtohen e ata do të harrohen.
Siç janë harruar kryetarët e kryeministrat dhe kryetarët e kuvendeve të Francës, të Britanisë së Madhe e të Gjermanisë në shekullin XIX, ndërsa do të kujtohen e adhurohen gjatë e gjatë Floberi e Balzaku, Bajroni e Skoti, Gëte e Shileri.
Fillo të shkruash! Trego për të fshehtat!
Të fshehtat e rëndësishme e të parëndësishme, pikëlluese e argëtuese, të përhershme e kalimtare, vendore e botërore. Të fshehtat që, si të gjitha të ndodhurat e të bërat duhet të jenë të treguara. Të fshehtat me të cilat kjo Botë jeton hanedan.
Të mos ju flas për veten: unë jam rrëfimtari, e rrëfimtari duhet të jetë sa më i padukshëm në roman; ai duhet t’ia japë fjalën protagonistit, shpesh dhe protagonistes e personazheve, që t’ua bëjë frymëmarrjen të lehtë lexuesve, t’u sjellë të ofshamët dhe, pse jo, edhe atyre asnjanësve që nuk u sjell as gëzim as hidhërim.