Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka uruar qytetarët e Kosovës për 16-vjetorin e pavarësisë, duke vlerësuar “partneritetin tonë të qëndrueshëm”.

Sipas tij, partneriteti mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është i bazuar në mirëkuptim reciprok, vlera të përbashkëta dhe miqësi mes dy popujve.

“Derisa ju vazhdoni të bëni përparim drejt forcimit të institucioneve demokratike dhe në promovimin e sundimit të ligjit, ne do të vazhdojmë të mbështesim një Kosovë multietnike”, tha Blinken.

Kryediplomati amerikan përsëriti qëndrimin e shprehur një ditë më parë nga presidenti Joe Biden, lidhur me dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“SHBA-ja inkurajon Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt një njohjeje eventuale reciproke”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Blinken.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog për normalizimin e raporteve, me lehtësim të BE-së, që nga viti 2011. SHBA-ja e mbështet këtë proces, por nuk është pjesë e tij.

Palët ndër vite kanë arritur disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar në praktikë. Një prej marrëveshjeve që faktori ndërkombëtar i kërkon me ngulm Kosovës që ta zbatojë është ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Qeveria e Kosovës ka shprehur drojën se një asociacion i tillë njëetnik mund të dëmtojë funksionalitetin e shtetit të Kosovës.

Po ashtu, vitin e kaluar palët arritën një marrëveshje në rrugën drejt normalizimit dhe u pajtuan edhe për aneksin e zbatimit të saj.

Marrëveshja për normalizim, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

BE-ja ka thënë se marrëveshja, që nuk është nënshkruar por është obligative për palët, ende nuk ka nisur të zbatohet.

Blinken tha po ashtu se Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në institucionet evropiane dhe euroatlantike.

“Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë duke forcuar demokracinë dhe duke krijuar kushte për Kosovën dhe qytetarët e saj që të prosperojnë në një botë më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, tha kryediplomati amerikan.

Kosova ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008./ REL/