Pas protestave të vazhdueshme në Los Angeles kundër veprimeve të autoriteteve federale të migracionit kundër emigrantëve, Presidenti i SHBA-së  Donald Trump ka urdhëruar dërgimin e 2,000 trupave të Gardës Kombëtare.

Ky është reagimi nga administrata në Washington pas “paligjshmërisë që është lejuar të përhapet”, tha zëdhënësja e Trump, Karoline Leavitt. Ajo fajësoi për situatën aktuale udhëheqjen “jokompetente” demokrate në Los Angeles dhe shtetin e Kalifornisë.

Në rrjetin e tij online Truth Social, vetë Trump sulmoi kryebashkiaken e Los Anxhelos, Karen Bass, dhe guvernatorin demokrat të Kalifornisë, Gavin Newsom, duke përdorur me përçmim “Newscum”, e cila përmban brenda fjalën “scum”, që do të thotë “llum”.

“Nëse Guvernatori Gavin ‘Newscum’ i Kalifornisë dhe Kryetarja e Bashkisë Karen Bass e Los Anxhelosit nuk mund ta bëjnë punën e tyre, dhe të gjithë e dinë se nuk munden, atëherë qeveria federale do të ndërhyjë dhe do ta zgjidhë problemin”, deklaroi Trump.

Më pas do të veprojë kundër “trazirave dhe plaçkitësve” sipas nevojës.

Guvernatori demokrat reagon

Guvernatori demokrat Newsom protestoi me forcë ndaj republikanit dhe Presidentit Trump, duke thënë se një masë e tillë vetëm sa do t’i përkeqësonte tensionet.

Newsom deklaroi se me këtë veprim, administrata republikane po e ndez qëllimisht situatën duke pranuar në heshtje përshkallëzimin e mëtejshëm.

Kjo nuk është përgjegjësi e Gardës Kombëtare të shtetit “dhe do të minojë besimin e publikut”, paralajmëroi demokrati Newsom.

Në SHBA normalisht shtetet federale kanë kontrollin mbi Gardën Kombëtare. Vendosja e Gardës me urdhër të presidentit shënon një përshkallëzim masiv të situatës.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *