Kryeministri Edi Rama e konsideroi fitoren historike në Shkodër si sfidën më të madhe të tij dhe të PS-së. Në një takim falenderues në qytetin verior, kryetari i kësaj force politike falenderoi të gjithë ata që e votuan duke shtuar se këtë herë qytetarët shkodranë votuan me mendje dhe jo me zemër.

“Në radhë të parë për të bërë një falenderim për të gjithë ata që me 14 maj dolën dhe votuan Benetin dhe votuan PS. Për herë të parë jemi forcë e parë politike në këshillin bashkiak. Dua të falenderoj edhe ata që nuk dolën që të votojnë duke e parë të pamundur që të votojnë për Benetin dhe për ne por duke e arsyetuar si të pamundur për të dalë për të votuar për ata që përsëri u kthyen jo vetëm në një zhgënjim por edhe në një njollë për demokratët shqiptar.

Dua që t’ju them të gjithëve që na kanë dhënë këtë besim kaq të madh që për veten time këtë rezultat në Shkodër e konsideroj si sfidën më të madhe që më është bërë mua dhe PS. Mendoj që vota e Shkodrës ka qenë përtej votës së socialistëve dhe ata që kanë votuar tradicionalisht. Ka qenë një votë me mendje më shumë sesa me zemër dhe kjo është pjesa më e rrezikshme e kësaj vote.

Sipas meje, të gjithë ata që kanë bërë diferencën në këto zgjedhje janë ata që nuk kanë votuar tradicionalisht PS por kanë gjykuar që mbase këtë herë është rasti për të mos vazhduar të votojnë me sy të mbyllur dhe pa mendje dhe vetëm me zemrën që ka 30 e ca vjet që e kanë djathtas. “, tha Rama.