
TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i pranishëm këtë të hënë në prezantimin e projektit për rigjallërimin e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Tiranë.
Sipas Ramës, në këtë ish-uzinë do të prodhohen uniformat e ushtrisë, policisë dhe zjarrfikësve.
“Besoj se ministri e shteroi argumentin, në kuptim se është e qartë për të gjithë se këtu bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv për Forcat e Armatosura, për ekonominë tonë kombëtare, por dhe për komunitetin këtu pasi në kuadrin e rilindjes së industrisë ushtarake në Shqipëri, ne kemi një serë projektesh për rijetëzimin e një infrastrukture të vjetër të mbetur jashtë funksionit, siç është dhe kjo infrastrukturë këtu apo siç ishte infrastruktura e kompleksit në Rubik.
Synimi ynë është që të ndërtojmë një rrjet të plotë të prodhimit në vend për nevoja për Forcave të Armatosura, për policinë, zjarrfikëset, por edhe për eksport. Të krijohen vende të mirëpaguara për teknikë dhe ekspertë të nivelit të lartë dhe sigurisht që përmes këtij procesi të stimulojmë dhe teknologjinë e inovacionit.
Të prodhojmë dhe uniformat e ushtrisë dhe policisë dhe të furnizojmë forcat tona me uniforma shumë cilësore dhe më pak të kushtueshme dhe të krijojmë një bazë prodhuese, që t’i shërbejë dhe qëllimit të eksporteve. Do ketë punë, do ketë ekonomi dhe do ketë zhvillim”, u shpreh ai.
Ai shpjegoi spekulimet se do të jetë një vatër rreziku për njerëzit, ndërsa këtë Rama e quajti një “teori konspirative dhe çmenduri”.
“Duke qenë se jemi këtu dhe është krijuar një shqetësim, siç ndodh zakonisht në Shqipëri, kur mali mbarset për të pjellë një mi, ishte detyrimi ynë që të sqarohemi nga afër që mos të zhvillohet më tej kjo teori konspiracioni, se këtu do krijohet një vatër rreziku për jetën e njerëzve, kjo një çmenduri e vërtetë”, tha Rama.
Komente