Pas rileximit në skenën e Teatrit Kombëtar të veprës “Prefekti”, ka reaguar dhe mbesa e Qazim Mulletit, ish-prefekt dhe ish-kryebashkiak i Tiranës, i cili ironizohet te vepra e Besim Levonjës, i shfaqur në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit.
Në reagimin e saj Besforta Mulleti tregon vuajtjet e familjes së saj gjatë kohës së komunizmit, ndërkohë që sipas saj edhe sot vuan akoma pasojat.
“Unë isha 8 vjeç kur familja ime u rikthye në Tiranë. Deri atëherë ne kishim jetuar në Shkodër, ku familja e babait ishte vendosur pas vdekjes së gjyshit dhe përfundimit të internimit në Kavajë, meqenëse nuk iu lejohej të ktheheshin në Tirane, pasi ishin dëbuar. Unë isha një tiranase që flisja me dialekt shkodran e sa herë përmendja mbiemrin, dëgjoja fraza nga shokët e klasës “Mulleti? Si Qazim Mulleti?”, të cilët vazhdonin me pas me batuta nga komedia. Unë nuk e kam parë kurrë të ashtuquajturën komedi “Prefekti”. Besoj se nuk është e nevojshme t’ju them pse… por e mbaj mend shume mirë zhgënjimin në fytyrën e babait tim sa herë që ndërronte kanalet dhe ndonjë kanal lokal po shfaqte komedinë. Pardje, më 28 Nëntor 2021, Teatri Kombëtar vendosi të rishfaqte njërën prej “kryeveprave” të komunizmit, komedinë “Prefekti”. Kjo ka qenë gjithmonë një temë shumë e ndjeshme për familjen dhe fisin tonë”, shkruan ajo.
Besforta Mulleti thotë se artistët që kanë për detyrë morale si në çdo vend të botës të edukojnë duhet të bëjnë të njëjtën gjë edhe këtu dhe nëse nuk e bëjnë këtë, të paktën nuk duhet të hapin plagët e atyre që kanë vuajtur.
Leximi në Teatrin Kombëtar i veprës “Prefekti” të Besim Levonjës, i shfaqur në “Facebook” me rastin e festave të nëntorit, ngjallio nje sere kritikaash. Sipas kritikëve në vepër ironizohet e tallet figura e Qazim Mulletit, ish-kryebashkiak dhe ish-prefekt i Tiranës në vitet e pushtimit nazi-fashist. Ishte shoqata “Tirona Intellectum” që reagoi ashpër për rikthimin e kësaj vepre. Sipas tyre, duket se Teatri me këtë vepër po rivlerëson tezat e qasjet që kishte Teatri gjatë regjimit komunist, luftën e klasave dhe stigmatizimin e banorëve të Tiranës që jo vetëm u dënuan dhe iu morën pronat për t’ia dhënë elitës së re komuniste, por edhe u portretizuan dhe u përjetësuan në vepra arti. Aktori që e risolli veprën është Arben Derhemi dhe sipas shoqatës fakti që ky aktor është nga Tirana ‘e bën edhe më të turpshme ngjarjen’.