Nga Asambleja Kombëtare e PS, Edi Rama paralajmëroi nisjen e një rilindje të dytë për partinë e tij duke ndryshuar tërësisht sekretariatin dhe drejtuesit politik të 12 qarqeve.
Rama: Ky është momenti t’i ngulim këmbët në tokë fort dhe t’i shtrijmë sytë sa më larg në horizont. Kjo që kemi përpara është koha që ne të gjejmë fuqi të reja, për të parë veten individualisht, për të parë skuadrën tonë si kolektiv, por për ta parë dhe vetë fitoren e arritur me një sy kritik. Na duhet një forcë e re, një pasion i ri politik, një kapërcim i ri i vetvetes për ta ngjitur me lart Shqipërinë. Duhet të gjejmë brenda nesh vullnetin për të ngulmuar edhe më fort, sesa më parë në punën tonë, duke korrigjuar sa më parë të jetë e mundur dhe sa më shumë të jetë mundësia, gjithçka që kemi konstatuar apo konstatojmë se nuk shkon. Partia Socialiste duhet të bëhet përditë e më shumë një komunitet njerëzish që jeton me aspiratën e madhe për t’i sjellë Shqipërisë drejtësi dhe mirëqenie dhe çdo ditë e më pak, një ngrehinë me mijëra dyer organizatash ku shkohet për të marrë një punë në shtet, apo nga ku dilet duke përplasur edhe derën, pse nuk të dhanë një punë në shtet.
Edi Rama riformatoi tërësisht sekretariatin e partisë. Postin e sekretarit të përgjithshëm ia besoi Damian Gjiknurit. Nga ministër Blendi Klosi do ti duhet tashmë të merret me punët organizative të partisë. Merakun e Edi Ramës për digjitalizimin e PS duhet ta përmbushë Etien Xhafaj. Dy ministret e kabinetit Rama 2, Etilda Gjonaj dhe Anila Denaj respektivisht në PS do të drejtojnë forumin e gruas dhe burimet njerëzore. Zëvendës ministres së Punëve te Brendshme Romina Kudo iu besuan marrëdhëniet me jashtë ndër Bojkena Bashës rinia socialiste. Partia Socialiste tha Edi Rama, nuk mund të zgjohet vetëm kur vijnë zgjedhjet dhe as nuk mund të mbahet gjallë në periudhën midis zgjedhjeve si një moçal interesash të rretheve të privilegjuara nëpër komunitetet e vendit.
Rama: Ndaj ne sot duhet të veprojmë. Ua kemi borxh atyre që vijnë pas nesh dhe ua kemi borxh atyre që i dhanë jetë kësaj partie, që e sollën këtë parti në kushtet që ne kemi këtë privilegj të madh të jemi të gjithë bashkë këtu, udhëheqja e saj. Sot, ne duhet të mendojmë seriozisht për shëndetin, forcën, për suksesin e Partisë Socialiste në një afat më të gjatë sesa 4 vjet. Ngritja sa më parë e një Akademie Politike të Partisë Socialiste me standardet më të mira ndërkombëtare, jo vetëm për çdo vajzë e djalë të talentuar në çdo territor, por edhe në edukimin në vazhdim të bashkësisë sonë me ndjenjën e komunitetit.
Edhe e gjithë struktura drejtuese e PS në 12 qarqe u ndryshua tërësisht nga ku surpriza është largimi Taulant Ballës nga Elbasani për të drejtuar Fierin qytetin hambar të votave socialiste. Damian Gjiknuri është pasusi Ballës në Elbasan. Arben Ahmetaj do të drejtojë punët e PS në Vlorë, Erion Veliaj Tiranë, Elisa Spiropali në Kukës. Bledi Çuçi merr stafetën nga Blendi Klosi në Berat, Mirela Kumbaro Gjirokastrën, Niko Peleshi Korçën. Edona Bilalit një figurë e re në PS do t’i duhet të drejtojë PS Shkodër . Ulsi Manja, Dibrën ndërsa Adrian Çela Durrësin.