Rindërtimi i banesave të prekura nga tërmeti i fortë që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit po vijon me ritme të larta.
Mes mijëra familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019, të cilave po u rindërtohen shtëpitë nga e para, Bashkia e Tiranës ka rindërtuar edhe shtëpinë e familjarëve të Havzi Nelës, poetit të pushkatuar nga regjimi komunist 33 vite më parë.
Familja Islamaj e ardhur nga Kukësi në Picallë të Petrelës, përfituese e Programit të Rindërtimit, u vizitua ditën e sotme edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili, përveç urimit për shtëpinë e re, u shpreh se puna për rindërtimin nuk ka ngjyra partiake dhe ndasi politike.
Ai bëri të ditur se në këtë zonë po rindërtohen edhe 62 banesa të tjera.
“Si shtëpia e Nazmie Islamajt në Picallë, në Tiranë po rindërtojmë edhe 62 banesa të tjera, për ata që u prekën nga tërmeti në këtë zonë. Jam shumë i lumtur për familjen Islamaj, që u bë me shtëpi të re”, tha kreu i bashkisë.
Veliaj tha se puna vijon gjatë gjithë verës për t’i shkuar deri në fund angazhimit për të strehuar secilën nga familjet e dëmtuara.
Kreu i bashkisë, po ashtu theksoi se po punohet edhe për hapjen e shkollës së re dhe kopshtit në këtë zonë.
“Fëmijët nga 2-3 vjeç deri 18 vjeç nuk kanë më nevojë të marrin fugon për të shkuar në Tiranë për t’u arsimuar, pasi ka përfunduar ndërtimi i kopshtit dhe shkollës këtu në Petrelë“, tha ai./atsh/