Frrok Çupi/

E para, se 17-a ndau 16-tën me 19-tën; dmth., ndau ditën “nesër” me ditën “dje”. Nuk besoj se do të mundet më qeveria të poshtërojë njerëzit si dje. Pa thënë se qeveria që ishte deri sot, nuk do të jetë më pasnesër. E rraskapiti njeriun deri në poshtërim. I krijoji frikën këtij populli se “ç’qënkemi ne, edhe mostra si këta pjellim ne!”. Ishte një tmerr; një diktaturë e dalë nga hundët e diktatorit Hoxha që i bëri njerëzit të flasin me vete e të kërkojnë Hoxhën.

Protesta popullore me qindra mijëra njerëz shënoi rifillesën e dinjitetit njerëzor.

E dyta, se protesta popullore u mblodh pa ide dhune, pa ide revanshi, pa ide glorifikuese. Protesta e 21 janarit 2011, u mblodh me qëllimin për të vrarë njerëz dhe për të glorifikuar njerëz. Këta që sot janë qeveri dërguan në vrasje katër vetë dhe glorifikuan një.

E treta, protesta nuk ishte një “teatër”, i qëndisur në prapaskenë si një koketë. Në një protestë që majtistët e mbajnë si kult, kishin bërë skenar më shumë se protestë: Kryetari në ballkon, pastaj një sinjal, pastaj një turmë që vinte me hunj, pastaj disa liderë të tjerë më të vegjël që puthnin dorën e  atij në ballkon. Kur u shtrinë ata të katër, atëherë “teatri” mbaroi. Protesta sot ishte popullore, e vullnetshme, si njeriu që heq e vuan dhe jo si ai që qëndis koketën në prapaskenë. Edhe në këtë orë të vonët, nën çadrën e madhe para selisë së qeverisë, ka njerëz pa pompozitet, të pa inskenuar, por të vendosur në heshtjen e tyre.

E katërta, askush nuk është i përdorur nga dikush. Edhe një herë tjetër më parë, në vitin 2011 këtu janë ngritur çadra protestuesish. Por atëherë kishte më shumë tufa me lule se protestues; atëherë kishte gra për të lindur që i përdorën si simbole heroizmi; ishte dhe një artiste që e futën në grevë urie dhe e nxorën me fjalë nga greva. Sot këtu nuk ka asnjë ekstremizëm në dhimbje as në krenari. Mungon heroizmi, që në fakt është pronë e majtistëve hileqarë, por që shkatërron njeriun… Sot nën çadrën e protestës ndodhet kryetari i Opozitës dhe liderët e tjerë të saj. Është ndryshe kjo nga çfarë ka ndodhur deri tani.

E  pesta,  protestuesit e sotëm janë nga ajo “racë” që ndikohen nga efekti i qytetërimit më të përparuar. Në llojin e vet, PD e sotme e ndjeu se bota po ndryshonte në vitet ’90 dhe i vuri gjoksin shembjes së diktaturës komuniste.  Ka një koincidencë: Edhe atëherë e keqja e vendit këtu u rrëzua pas modelit të Timishoarës në Rumani. Njësoj si sot, pas protestave të vendosura të Rumanisë, protestuesit shqiptarë nuk do të kthehen në shtëpi pa rrëzuar qeverinë.

E gjashta, protesta që i dha ngjyrë dhe kuptim kohës këtu. Tani mund të thuash se vendi u vu në trendin e qytetërimit të sotëm. Po ndryshon bota; po bien elitat e kalbura të korruptuara në Europë e kudo, po ndërtohet rendi i ri botëror. Do të ishte fatale sikur nga Shqipëria të mos kishte asnjë zë që të bashkohej me trendin e qytetërimit.

Por që sonte ne kemi zërin tonë në tonet e botës së përparuar.

/Veritas.com.al/