(Foto: Kancelarja Angela Merkel bën një deklaratë për shtyp në Berlin, në 20 dhjetor 2016)
Drama e tregut të Krishtlindjeve të Berlinit rrezikon të jetë një tjetër grusht i rëndë për Angela Merkel, e kritikuar në mënyrë të vazhdueshme për politikën e saj bujare ndaj emigracionit, në momentin kur kish filluar të fitonte sërish pikë në sondazhet e opinionit publik.
Sipas mediave të ndryshme gjermane, autori i atentatit me kamion të së hënës (12 të vdekur, pesëdhjetë të plagosur) është faktikisht njè refugjat pakistanez 23 vjeç i ardhur në shkurt të 2016 në Gjermani përmes rrugës së Ballkanit
Pa pritur konfirmim nga autoritetet për origjinën apo motivet e shoferit të kamionit me peshë të rëndë që u turr mbi turmën, të hënën në mbrëmje në një nga tregjet e Krishtlindjeve mè të frekuentua të kryeqytetit gjerman, e djathta populiste gjermane e ka gjetur tashmë fajtorin e saj.
– ‘Të vdekurit e Merkelit’ –
“Këta janë të vdekurit e Merkelit!”, ka denoncuar një nga drejtuesit e lëvizjes Alternativa për Gjermaninë (AfD), Marcus Pretzell, në adresën e tij në Twitter.
“Gjermania nuk është më e sigurtë” përballë “terrorizmit të islamizmit radikal”, e ka pasuar me deklaratën e saj figura kyçe e AfD, Frauke Petry, duke kritikuar vendimin e kancelares gjermane për t’u hapur dyert e vendit emigrantëve dhe azilkërkuesve në verën e vitit 2015. Kërcënimi islamist “u importua në mënyrë sistematike dhe të pa përgjegjshme gjatë një viti e gjysmë”, ka denoncuar ajo.
Kritikat nuk bëhen vetëm nga e djathta populiste. Kasaphana e Berlinit ka ringjallur kritikat e degës bavareze të partisë konservatore të Angela Merkelit, CSU-ja që prej mbi një vit denoncon mbërritjen e refugjatëve dhe kërkon, pa rezultat deri tani, që të përcaktohet një tavan vjetor për numrin e azilkërkuesve të autorizuar për të hyrë në Gjermani.
“Na duhet aktualisht të shqetësohemi për risqet që paraqet për ne ardhja e një numri të madh refugjatësh në vend”, paralajmëroi ministri i brendshëm i Bavarisë, Joachim Herrmann. Opinioni nuk mund të pranojë “që të vazhdojmë me një situatë kur ndodhemi para risqesh të mprehta atentatesh të shkaktuara nga njerëz të frymëzuar nga islamizmi radikal”, ka shtuar ai.
Drama e tregut të Krishtlindjeve të Berlinit ngjan për nga rrethanat me atentatin me kamion në Nicë të Francës në 14 korrik ku gjetën vdekjen 86 njërës.
/Veritas.com.al/