Frrok Çupi/
Të jetë kaq e pafajshme dhe kaq naive sa duket kjo e Dielë e votimeve?!… Nuk besohet.
Atëherë pyetja mund të shtrohet kështu: Është kaq naive e Diela që bën fytyrën e ‘të pafajshmit’, apo janë naivë kush mendon kështu përballë të Dielës?!
E Diela ka dhjetëra tunele të nëndheshme; ato kanë nisur qysh kohë më parë, të paktën që ditën kur Opozita vendosi të ndërtojë Çadrën e Protestës. Këtu ishin rrugëkalimet sekrete, por janë fshehur poshtë fjalëve. Janë fshehur edhe poshtë ‘grindjeve’ dhe ‘luftërave me njëri- tjetrin. Janë fshehur edhe poshtë përkëdheljeve kalimtare…
Njerëzit e thjeshtë që përbëjnë popullin, kanë për detyrë ‘të mos dinë’ dhe ‘të mos mësojnë’ gjëra të rëndësishme. Madje, po mësuan aq shumë gjëra, nuk kanë vlerë as për veten dhe as për ekipet politike. Atëherë do të duhej ‘ndërruar populli’ siç arrijnë të thonë disa politikanë mes nesh, qoftë edhe me humor kur e thonë. Do të na duhej jo një popull ‘etnikisht’ tjetër, por një popull që ka kuptuar se nuk duhet të dijë…
Por fatmirësisht, nuk kemi nevojë ta bëjmë këtë transfuzion: Njerëzit kanë vendosu të mos ‘mësojnë’ dhe të mos dinë të vërtetat.
… Ne jemi këtu dhe e diela ‘msiterioze’ po këtu. Edhe pse nuk do të donin kurrë që të zbulohej e vërteta, (dmth., rrymat e nëndheshme të të Dielës), shpesh ndodh që ata që mbajnë në dorë ‘kutinë sekrete’, pikërisht atyre iu del fjala dhe sekreti i ‘rrymave’. Dje, kjo gjë ndodhi dy herë. Por edhe sot ndodhi përsëri:
Sot kryetari i Opozitës, si në një regjizurë të kryer mirë, u ndal pikërisht në Fushë Krujë për t’u thënë ‘ca të vërteta’ kriminelëve. Aty dolën dy të vërteta nga rrymat: E para, se sikur të ndodhë krimi me zgjedhjet, tashmë ‘njihen autorët’ hipotetikë dhe dihet se fajtorët do të marrin motorët dhe do të fshihen në Bubq, apo në një katund tjetër të Fushë- Krujës. Këtu- u tha në qershor 2015- se u fshehën vrasësit e Santos- bankieri brilant i vendit; dhe të tjerë vrasës. Zoti Basha ua zbuloi strofkën ‘vrasësve të zgjedhjeve’ para se të ndodhë krimi. Por po në Fushë Krujë, kandidati për kryeministër zbuloi një provë ndërkombëtare. Ai tha se “vjedhësit e votave janë nën vëzhgim të shërbimeve sekrete partnere në botë”.
Domethënë u zbulua se mbi të Dielën ka një sy të rëndësishëm; dhe syri i rëndësishëm vështron aty ku ka rryma të rëndësishme. Këtu te ne paska, pra.
Dje, e vërteta u zbulua dy herë: E para, kur presidenti i zgjedhur, Meta, sot përfaqësues i LSI, shfaqi interes të madh kur i thanë gazetarët se “PD mund të propozojë koalicion me LSI”, dhe herën tjetër kur vetë kryetari i PD la ‘hijen’ e dyshimit se me Metën edhe mund të ketë koalicion. Këto diheshin prej tyre, por prisnin në heshtje poshtë dheut.
Edhe më e fshehta mes atyre të fshehtave që presin të mbërrijë e Diela, nxori pak ‘syrin’ dje. Dje në mitingun përmbledhës të Partisë Socialiste, tek po ndërtohej skena e mitingut në sheshin ‘Nënë Tereza’ u duk sikur po bëhej një pikturë në shesh. (E njëjta në Vlorë). Njerëzit nuk e mendojnë gjatë çfarë ishte ajo figurë; sepse e dinë se “Rama i ‘qanë’ këto gjëra”. Por nuk ishte aq e thjeshtë. Fillimisht u duk sikur po bëhej stema e NATO-s, me cepat e yllit herë blu e herë të kuqe. Kur u mbush sheshi me popullin e PS, dhe kur u lëshuan prozhektorët specialë, atëherë u shfaq një stemë tjetër, krejt e ngjashme me ‘syrin’ e Masonëve. Masoneria është përfolur për ndërhyrje edhe në Shqipëri; siç edhe homoseksualët, xhahidistët, erdoganistët, gulenistë; etj.
Në sheshin e shenjtores katolike, Tereza, nuk u shfaqen qartë as idetë masone të Skocezit William Preston, as të anglezit George Oliver; por u dhanë shenja se kjo rrymë qëndron nën dhè dhe shfaqet atëherë kur e kërkojnë nga qendra.
Rrymat e tjera më të qarta e më të drejtpërdrejta po shfaqen herë pas herë kur dalin nga ‘boxet’ e vetë liderëve. Prej kohësh dihej se edhe në Shqipëri ka një përpjekje për të aplikuar doktrinën e Trump; flamurin të cilit e mori, (paçka se me vonesë), PD dhe kryetari Basha. Vetë Basha, orët e fundit ka devijuar pak dhe po lavdëron zonjën e Gjermanisë, Merkel që është oponente e Trump. Majtistët liberalë të Europës i kanë ngulur mirë ‘thonjtë’ këtu; me ambasadoren Vllahutin apo me zonjën Mogerin- majtiste ‘par exellence’. Kriza e BE i ka prurë punët deri në pikën që kjo BE e mbetur, të mund të mbahet në të majtën shqiptare qeveritare. Por as e djathta nuk po i del në krah konservatorizmit populist që ka marrë teren në Europë.
Rrymat e George Soros, padyshim, vijnë më të ‘nxehtat’. Vetëm në Tiranë nuk i është ndaluar akoma prezenca e Soros; përkundrazi. Kudo në botën e përparuar i kanë vënë ‘karantinë’. Njerëzit dhe financimet e tij janë përhapur që nga qeveria deri në opozitë. Ringjallja e egër e komunizmit alias- Soros, sigurisht që përbën rrezik krizash në Ballkan. ‘Soros’ është kudo, edhe aty ku nuk ka emër; madje që nga ‘syri’ i Masonëve e deri te kanabisi anembanë fushave. Nëse nuk do të mund formohet qeveria pas zgjedhjeve të të Dielës, atëherë do të shfaqet Sorosi…
Deri edhe te një vetësiguri që ka Rilindja për fitore ‘e vetme’ duket filozofia e ‘libertianëve’ që kultivojnë status quo dhe socializëm anarkist. “Gjithë pushtetin… sovjetëve”- kjo është paradigma që duket mes rrymave që nuk duken ashtu siç janë.
Veritas.com.al/