Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio do të dalë sot para Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, për të paralajmëruar SHBA-të se administrata e Donald Trump është gati të ndërmarrë një aksion ushtarak kundër Venezuelës, nëse qeveria e përkohshme e kësaj të fundit nuk bashkëpunon sipas pritshmërive amerikane.
“Jemi të përgatitur të përdorim forcë për të siguruar bashkëpunim maksimal nëse metodat e tjera dështojnë,” thuhet në deklaratën hapëse të Rubios, të publikuar nga Departamenti i Shtetit, të cilës i referohen mediat amerikane. Sidoqoftë, Rubio shton se shpresa mbetet që ky aksion të mos jetë i nevojshëm.
Gjatë seancës, Rubio pritet tu dalë në mbrojtje disa nga vendimet më të debatueshme të presidentit Donald Trump në një kohë kur politika e jashtme amerikane po luhatet mes Amerikës Latine, Europës dhe Lindjes së Mesme.
Seanca fokusohet te Venezuela dhe operacionet amerikane pas aksionit të këtij muaji për kapjen e ish-presidentit Nicolas Maduro, i cili u dërgua në SHBA për t’u përballur me akuza për trafik droge. Rubio do të mbrojë gjithashtu goditjet ushtarake ndaj anijeve të dyshuara për kontrabandë droge dhe sekuestrimin e cisternave me naftë venezueliane.
“Nuk ka luftë kundër Venezuelës dhe ne nuk kemi pushtuar një vend,” pritet të thotë Rubio.“Nuk ka trupa amerikane në terren. Ky ishte një operacion për të ndihmuar zbatimin e ligjit” thuhet në deklaratën e tij.
Demokratët në Kongres kanë dënuar veprimet e Trump, duke thënë se ai po tejkalon kompetencat e tij kushtetuese. Shumica e republikanëve i kanë mbështetur këto veprime, por jo të gjithë.
Për pasojë, Dhoma e Përfaqësuesve rrëzoi me një diferencë të ngushtë një rezolutë që do ta detyronte Trump të tërhiqte trupat amerikane nga Venezuela. Administrata e tij këmbëngul se nuk ka trupa amerikane në terren, pavarësisht grumbullimit të madh ushtarak në rajon.
Ndërkohë, familjet e dy shtetasve nga Trinidadi, të vrarë në një sulm ndaj një anijeje, kanë ngritur padi, në atë që konsiderohet çështja e parë gjyqësore për vdekje të paligjshme nga kjo fushatë e Donald Trump. Që nga shtatori, të paktën 126 persona janë vrarë në dhjetëra sulme ndaj anijeve në Karaibe dhe Paqësorin lindor.
Në të njëjtën kohë që mban presionin ndaj atyre që i quan “narkotrafikantë”, administrata Trump po punon edhe për të normalizuar marrëdhëniet me presidenten në detyrë të Venezuelës, Delcy Rodríguez.
Rubio pritet të bëjë të qartë se Rodríguez duhet të përmbushë kërkesat e Uashingtonit, përfshirë hapjen e sektorit energjetik për kompanitë amerikane, përdorimin e të ardhurave nga nafta për blerjen e mallrave amerikane dhe ndalimin e eksporteve të subvencionuara të naftës drejt Kubës.
Rodríguez deklaroi të martën se qeveria e saj dhe administrata Trump kanë vendosur “kanale komunikimi të respektueshme dhe korrekte”. Ajo tha se po punon me Trumpin dhe Rubion për një “axhendë pune”.
Sipas një organizate venezueliane për të drejtat e njeriut, 266 të burgosur politikë janë liruar që nga 8 janari. Trump i përshëndeti lirimet në rrjetet sociale si një “gjest të fuqishëm humanitar”.
Në një hap tjetër drejt rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Departamenti i Shtetit njoftoi Kongresin se planifikon të dërgojë personel shtesë diplomatik në Karakas, për të përgatitur rihapjen e ambasadës amerikane, e mbyllur që nga viti 2019.
Rubio pritet të takohet gjithashtu me lideren e opozitës venezueliane, María Corina Machado, e cila u detyrua të fshihej pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 dhe më pas u shfaq sërish për të marrë Çmimin Nobel për Paqen në Norvegji
Komente