Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend projektligjin në lidhje me ndryshimet në Korin Zgjedhor ku do të mundësojë votën e diasporës si dhe propozon ndryshme lidhur me herësin për shpërndarjen e mandateve.
Në kërkesën e PS, firmosur nga 7 deputetët Bledar Çuçi, Damian Gjiknuri, Klodilda Bushka, Blerina Gjylameti, Toni Gogu, Klevis Xhoxhi dhe Arben Pëllumbi, thuhet se KQZ duhet të mundësojë votën e emigrantëve në zgjedhjet e 2025 duke reflektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
PS kërkon votën me postë të emigrantëve, ndërsa thekson se do të jetë KQZ që mbikëqyr dhe përgatit të gjithë procesin. Kërkesa e PS u depozitua në Kuvend pasi në grupin e dialogut nuk arritën dakordësi lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“KQZ-ja udhëheq dhe mbikëqyr procesin për përgatitjen e kushteve dhe zbatimin e masave që mundësojnë votimin nga jashtë vendit në zgjedhjet për Kuvendin, për zgjedhësit që kanë vendbanimin e përhershëm jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Votimi nga jashtë vendit organizohet dhe administrohet nga KQZ-ja në të gjithë komponentët e tij, pasi Rregullatori të ketë miratuar të gjitha aktet nënligjore që kërkohen për votimin nga jashtë vendit, sipas këtij Kodi. KQZ–ja duhet të marrë vendim për përfshirjen për herë të parë të votimit nga jashtë vendit në procedurat e zakonshme të votimit. Në zgjedhjet vijuese, votimi nga jashtë vendit bëhet automatikisht pjesë përbërëse e procedurave të votimit. Procedurat e detajuara të votimit nga jashtë vendit miratohen me akt normativ të KQZ-së renda 60 ditësh nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji”, thuhet në kërkesën e PS.
Në kërkesë theksohet se do të ketë një listë të përbashkët të emigrantëve që duan të votojnë nga jashtë vendit dhe se ata duhet të jenë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Pas miratimit të kësaj liste, e cila nuk ndryshon më pas afatit përfundimtar që mbyllet 50 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, emigrantët shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit.
“Zgjedhësi që është me vendbanim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Lista e zgjedhësve jashtë vendit është një listë e vetme në shkallë vendi dhe përmban listën e shtetasve shqiptare që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile dhe kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Regjistrimi i zgjedhësve jashtë vendit realizohet nga KQZ-ja. Procesi i hartimit të listës së zgjedhësve jashtë vendit fillon 100 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 50 ditë para kësaj date. Lista e zgjedhësve pas përfundimit të procesit nuk ndryshon në asnjë rrethanë dhe për asnjë shkak pas afatit të parashikuar në këtë pikë. KQZ, 50 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën e zgjedhësve që votojnë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Shtetasit shqiptarë që janë regjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së regjistrimit sipas këtij neni, çregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit që shpallet sipas nenit 56 të këtij Kodi”, thuhet në kërkesën e depozituar nga PS.
Pjesë e ndryshime do të jetë edhe herësi për shpërndarjen e mandatit të deputetit, ku PS thekson se në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota. Në zgjedhjet e 2021 herësi për shpërndarjen e mandatit nuk do të ishte më shumë se 10 mijë vota.
“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi i ndarjes së mandateve. Herësi i ndarjes së mandateve është numri që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit zgjedhor me numrin e mandateve të fituara nga subjekti përkatës sipas nenit 162 të këtij Kodi dhe pjesëtuar me 1.5. Në çdo rast, herësi i ndarjes së mandateve nuk mund të jetë më shumë se 7 000 vota”, thuhet në kërkesë.