Frrok Çupi

Nuk jam pajtuar kurrë me njerëzit që psherëtijnë sapo i takon: ‘Uf, na mbytën budallenjtë!’. Me siguri e keni provuar këtë situatë; por unë nuk e zgjas me këta njerëz.

Ashtu si edhe bota e përparuar nuk është pajtuar dhe nuk pajtohet me antinatalistët. Vetëm gjatë këtij viti shoqatës së antinatalistëve i janë shtuar nja 90 mijë anëtarë, plus mijëra që kanë pasur; por kurrë nuk kanë gëzuar përkrahjen e njerëzve normal në botë. Antinatalistët frymëzohen me idenë se përderisa jeta është bërë e keqe dhe ka shumë budallenj, të ndërpritet lindja e fëmijëve deri në një shkallë… Absurd. Ata nuk durojnë budallenjtë, me siguri, që Evropa i ka pasur me mijëra nëpër kështjella aty nga shekulli 16.

Po sikur të mos ishin budallenjtë?!, ata as që e bëjnë këtë pyetje, vallë sa monotone do të ishte jeta!? Edhe këta që shfrejnë ‘uf e puf!’ nëpër takimet tona kundër budallenjve, do të ndjeheshin krejt ndryshe sikur të mos i kishin nëpër këmbë nga mëngjesi në mbrëmje. Ke dy burra që rrinë në të dy anët e rrugës para RTSH, herë bashkë e herë ndaras, por përditë, që në mëngjes deri në mbrëmje. Sa të shikojnë që po afrohesh nisin ‘filozofinë’ e tyre. Shpesh thërrasin sa kanë në kokë: ‘Ore, nuk bëhet Shqipëria me shqiptarë… Kush e ka thënë këtë, Noli?… Apo Konica?’.  Ti kalon e të duhet të kthehesh prapë…, po a ka lezet ajo copë rrugë pa aty dy njerëz?! Kanë kohë që janë bërë identitet i rrugës me blirë.

Ja kështu do ta ndjenin veten edhe ata që psherëtijnë kundër budallenjve. Kam frikë se një pjesë e atyre që psherëtijnë ‘kundër’ , janë vetë mes budallenjve. Do të shikoni, budallenjtë sapo të lexojnë këtë shkrim do të shajnë ‘ komunist’, tradhtar’, spiun’; pra budallenjtë e dëshmojnë veten. Por po flas për të tërën…

E si do të kalohej vera e nxehtë, për shembull, pa ngjarjen komike të Teatrit Kombëtar? Dalin tre a katër aktorë dhe recitojnë vjershat e Naimit se si nuk lejojnë të ndërtohet Teatri i ri në vend të të vjetrit. Ikin të tjerët, mbetën vetëm dy vëllezër, dhe një tjetër, duke luftuar me mullinjtë e erës. Ka mundësi që gërmadhat e Teatrit të marrin emrin ‘Teatri Budina’. Në zakonin e popullit, dy vëllezër nuk shkojnë as në një dasmë së bashku, se bëjnë hije jo të mirë. Po nejse…

Artistët nënshkruan një marrëveshje me Partinë PD në opozitë. Ata u betuan si Lekë Dukagjini se ‘ kur të vijmë në pushtet, nuk lejojmë prishjen e Teatrit’. Budallallëku nuk të lejon të masësh kohën. Kur të vijnë në pushtet këta, si lekë Dukagjini do të jenë bërë nipërit, me bastunë dhe me mjekër të gjatë, dhe nuk do të dinë asgjë për marrëveshjen’, as për Rezistencën, as për Kadri Roshin, as për Erion Veliaj, as për PD.

Po si do ta kalonin verën këta njerëz, nëse nuk bënin budallallëqe! Se është budallëk t’i dalësh përpara vullnetit të kombit për të modernizuar jetën dhe t’i thuash: ‘ Jo, nuk te lë të përparosh me Teatër e qytet!’. Te Teatri nuk mblidhen vetëm artistë, por edhe ‘popull’; as ata nuk kanë shkuar ende në plazhe. E si do ta kalonin këtë të nxehtë pa lojëra të kota prej budallëku, këta njerëz ‘populli’?!

Edhe vetë shteti bëri një budallëk të madh që u dërgoi policë për t’i ndaluar që të hyjnë në gërmadhat e Teatrit. Po pse t’i ndalojë? Hyni, miq budallenj, hyni se pa ju si vallë do të kishim shfaqje për t’u argëtuar; në vend të Teatrit argëtohemi me Budallëk.

Ngrihet presidenti i Republikës, në procedurë shkarkimi, merr rrugën më këmbë e shkon në Gjykatën Kushtetuese qe nuk ekziston. Të duket si një njeri somnambul që ecën nëpër natë, me budallëkun përdore, ngaqë nuk po gjen derë tjetër ku të futet. Ngrihet një kryeministër në Kosovë dhe jep dorëheqjen ‘për gjykatën’ e nuk flet para gjykatës, vetëm për t’u dukur ‘ burrë’, vetëm për të bërë njerëzit që të qajnë e ta votojnë prapë. ky e di veten të mençur dhe të gjithë të tjerët budallenj… Po çfarë është ky budallëk, andej e këndej!?

Kjo është sa për stinën e nxehtë, por edhe në stinën e ftohtë ka disa të tjerë që në mes të shkurtit marrin bomba molotov dhe ndezin bulevardin, selitë, nevojtoret, e ku ta dish. Kanë ftohtë, vijnë nga larg, me një barrë budallëk… E çfarë të presësh tjetër?

Më budallenjtë janë ata që besojnë në mashtrimet e liderëve të dështuar të opozitës. Ata liderë e kanë të shkruar në ballë se kurrë nuk mund të bëjnë ndonjë gjë të mençur, ndërsa disa njerëz (jo të gjithë budallenj), u shkojnë pas. Budallenjtë besojnë se lideri ‘ka fituar’, edhe pse ka humbur gjithçka që nga Parlamenti deri te këshilli i lagjes. Liderët e dinë se ndjekësit janë budallenj dhe i thërrasin rrotull vetes si ‘të fortë’. Në fakt grumbullimin e  tyre, liderët e shesin te qeveria. I ofrojnë qeverisë: “T’i heq budallenjtë në protestën e Rrugës së Kombit, veç na jep zyra për kunatin” . Dhe bëhet… Budallenjtë mbeten në shi.

Edhe vetë shtetit i duhen budallenjtë, se ndryshe nuk mund të qeveriste pa gropa, ndryshe nuk bëjnë ‘ teatër’ në mes të verës. E jo më të mos iu duhen njerëzve të zakonshëm që nuk kanë ky shtyjnë kohën?!

Nuk i kam dashur kurrë njerëzit që psherëtijnë ‘ kundër budallenjve’; disa prej tyre më janë dukur akoma më budallenj.

As antinatalistët nuk i dua kurrë, ata që thonë ‘ ndaloni lindjet, o njerëz, se na mbytën budallenjtë!’. Po kur përdorin si bazë të tyre edhe filozofinë e mendjes së ndritur të Arthur Shopenhauer, që e dua mijëra herë më shumë se sa urrej idenë e antinatalizmit?!

VERITAS.COM.AL/