Naftëtarët e Fierit dhe të Ballshit vitet e fundit kanë kaluar një sagë të vërtetë. Plot vuajtje, brenga dhe sakrificë. Për çfarë?… Vetëm pse nuk u japin pagën për punën e kryer.

Gjithë arkiva e lajmeve është e mbushur me protesta të pjesshme, me protesta masive dhe tentativa për vetëvrasje individësh nga naftëtarët e Ballshit. Disa herë, naftëtarë ose pjesëtarë të familjeve të naftëtarëve janë ngjitur në oxhaqet e uzinave të përpunimit për t’i dhënë fund jetës. Ka dalë dikush që u është lutur në emër të fëmijës dhe jetës; dhe këta kanë zbritur të gjallë nga kulla.

Para pak ditësh u betuan në masë se nëse nuk marrin pagesat dhe figuracionet brenda datës 15 dhjetor, atëherë ‘do t’i venë zjarrin’ uzinës. Por po vijnë edhe festat e vitit të ri dhe naftëtarët ende nuk kanë marrë pagesat; familjarët e  tyre nuk kanë me se të bëjnë festat.

Më në fund, sot në mëngjes rreth 200 naftëtarë të zgjedhur që mund të përballojnë udhëtime të gjata, janë nisur më këmbë që nga Fieri drejt Tiranës ku ndodhen zyrat e qeverisë dhe ata do të protestojnë.

Para nisjes, në mëngjes, janë mbledhur para godinës së prefekturës së Fierit, ku kanë shprehur protestën e tyre.

Protesta është shoqëruar dhe me përplasje verbale mes naftëtarëve dhe kryetarit të sindikatës së naftëtarëve, Kamber Iliazi, i cili me sa duket është një ‘grevëthyes’.

“1200 punëtorë kanë mbetur në mes të rrugës, kërkojmë lekët tona, nafta shkon në tregjet europiane dhe ne mbetemi pa bukë” thonë protestuesit.

Veritas.ccom.al/