Nga Klevis Hoxhaj/ AP

“Samiti për Demokraci” i Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, është vetëm disa javë larg.

Një listë e zbuluar nga POLITICO dëshmon mungesën e Kosovës, Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës mes të ftuarëve.

Në të kundërt, Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut gjenden në listën e zbardhur në orët e para të 5 nëntorit.

Ftesat për Samitin virtual do të shkojnë për krerët e shteteve anembanë botës. Mes tyre përfshihen edhe liderët e shteteve me demokraci të cënueshme.

Foreign Policy raporton nga ana tjetër se Polonia, Meksika dhe Filipinet janë ndër vendet që Biden planifikon të ftojë në samitin.

Në një deklaratë të 11 gushtit, Shtëpia e Bardhë njoftonte organizimin e një “Samiti për Demokracinë” më 9-10 dhjetor.

Biden u zotua ta mbajë takimin gjatë vitit të tij të parë në detyrë për t’iu kundërvënë tërheqjes së shteteve autoritare si Kina dhe Rusia.

Simbolika

Një nismë që ekipi Biden ka diskutuar për nisjen gjatë samitit është një aleancë ndërkombëtare për të promovuar lirinë e internetit.

Kjo e fundit do të quhet “Aleanca për të Ardhmen e Internetit”, sipas dokumenteve të siguruara nga POLITICO.

Zyrtarët amerikanë gjithashtu kanë paraqitur një listë të angazhimeve të mundshme për vendet e tjera.

Në të përfshihen rritja e fondeve për programet e edukimit mediatik ose vendosja e kontrolleve të eksportit për disa teknologji me përdorim të dyfishtë.

“Në fund të fundit, Biden është duke pritur samitin gjatë një viti që ka parë të paktën gjashtë grusht shteti në vende nga Myanmari në Sudan”, shkruan POLITICO.

Por nuk është e qartë se sa vende që do të marrin pjesë në samit do nënshkruajnë për angazhime ose sa do t’i ndjekin.

“Simbolizmi i mbledhjes është i rëndësishëm, por ndryshimi aktual që samiti do të gjenerojë mbetet për t’u parë”, tha Steven Feldstein, një bashkëpunëtor i lartë me Carnegie Endowment for International Peace.

Reagimi i Rusisë

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov denoncoi mbajtjen e planifikuar të “Samitit për Demokraci” në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve TASS.

“Samiti për Demokraci ndjek qëllimin e klasifikimit të njerëzve dhe vendeve në demokratike dhe jodemokratike”, tha Lavrov për kanalin televiziv Rossiya-24.

Lavrov tha se ishte i sigurt se SHBA-të do të bëjnë përpjekje për të joshur disa prej partnerëve dhe aleatëve strategjikë të Rusisë.

“Disa nga partnerët tanë na kanë pëshpëritur në vesh se atyre iu kërkua të përgatiteshin dhe se një ftesë pritej së shpejti”, nënvizoi zyrtari rus.

Sipas tij, udhëheqësit do të bëjnë një deklaratë në internet që do të pasohet nga një deklaratë përfundimtare.

“Kjo është një marrëdhënie e tipit sovran-vasal”, ravijëzoi në përmbyllje Lavrov.

Reagimi i shoqërisë civile

Ndërsa Shtëpia e Bardhë po vijon me planifikimin e saj për samitin virtual, organizatat e shoqërisë civile kanë shprehur zhgënjimin e tyre.

Sipas organizatave, roli i tyre në mbledhjen globale është margjinal.

Udhëheqës të ndryshëm të OJQ-ve dhe aktivistë të tjerë kanë ndarë drafte letrash dhe memorandume që synojnë t’i bëjnë presion Shtëpisë së Bardhë.

Kjo, për t’i angazhuar ata dhe për t’u dhënë atyre më shumë kohë transmetimi gjatë samitit.

Gjatë një takimi me avokatët e shoqërisë civile, zyrtarët e administratës lexuan listën e qeverive që do të ftoheshin dhe thanë se do të kishte të paktën 17 ngjarje anësore zyrtare të miratuara gjatë samitit, sipas një personi të informuar për seancën.

Në një memo të parë nga POLITICO, disa grupe të shoqërisë civile i kërkojnë administratës t’u “theksojë qeverive pjesëmarrëse rëndësinë e konsultimit të shoqërisë civile dhe palëve të tjera të interesuara”.

Memorandumi gjithashtu i kërkoi administratës që “të publikojë listën e vendeve të ftuara në mënyrë që partnerët e shoqërisë civile në vendet respektive të jenë më të vetëdijshëm për mundësitë që kanë”.