Pas 14 orësh punime, diskutime, shqyrtime, debate e tensione, Kuvendi mbylli punimet e seancës plenare me miratimin e 13 projektligjeve dhe 2 projektvendimeve, të cilat përfshijnë një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare dhe ratifikimesh financiare për projektet hekurudhore të Korridorit VIII, aderimin në traktate dhe memorandume ndërkombëtare, ndryshime në ligjet e sektorit minerar, shëndetit publik, integrimit europian dhe funksionimit të Avokatit të Popullit, si edhe një ligj të ri që rregullon përgjegjësitë e zgjeruara të prodhuesve për menaxhimin e mbetjeve.

Në nisje të punimeve të seancës, Kryeparlamentari Niko Peleshi, njoftoi shtyrjen e paraqitjes së Raportit të veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2024.

Ai informoi gjithashtu për kërkesën e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, për një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama mbi ankimin e këtij të fundit në Kushtetuese të vendimit të GJKKO-së për pezullimin e Ministres për Infrastrukturën dhe Energjinë, njëherësh zv.kryeministren Belinda Balluku, kërkesë që u rrëzua me 74 vota kundër dhe 17 pro.

Po me kaq vota u rrëzua edhe propozimi i deputetit Eno Bozdo për heqjen nga rendi i ditës të projektligjit që lidhet me përgjegjësitë e zgjeruara të subjekteve prodhuese të produkteve që gjenerojnë mbetje.

Pas debatit procedural, Kuvendi vijoi me miratimin e projektligjeve, për të cilat u regjistruan këto rezultate votimi:

Projektligji “Për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit HannsSeidel të Republikës Federale të Gjermanisë, ratifikuar me ligjin nr. 9781, datë 19.7.2007”, u miratua me 79 vota pro, 21 abstenim dhe 0 kundër.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Traktatin e Marrakeshit për lehtësimin e aksesit në veprat e botuara për personat e verbër, me vështirësi në shikim ose me aftësi të kufizuara në leximin e teksteve të shtypura, bërë në Marrakesh, më 27.6.2013”, u miratua me 100 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.

Projektligji “Për pranimin e ndryshimeve të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për krimin e agresionit, ratifikuar me ligjin nr. 8984, datë 23.12.2002”, u miratua me 102 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.

Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për kontrollin shtetëror portual në Rajonin e Mesdheut, bërë në Maltë, më 11 korrik 1997”, u miratua me 100 vota pro, 0 abstenim dhe 0 kundër.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri””, u miratua me 79 vota pro, 0 abstenim dhe 21 kundër.

Projektligji “Për ratifikimin e kontratës financiare, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Investime, për projektin “Infrastruktura hekurudhore e korridorit VIII, faza I – Shqipëri”, u miratua me 79 vota pro, 0 abstenim dhe 21 kundër.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *