Tre milionë Euro pasuri që buronin nga aktiviteti kriminal i katër personave, janë sekuestruar nga policia në qytetin e Shkodrës.
Erli Pelingu, Armando Docaj dhe Dëfrim Eçi, u arrestuan më 26 Qershor të kërtij viti gjatë një operacioni të Europol në Danimarkë. Paralelisht policia shqiptare arrestoi në Shkodër Jetmir Kastratin që dyshohet se është kreu i këtij grupi. Në Danimarkë ai përdorte pasaportë kosovare me emrin Sokol Krasniqi.
Një pjesë të parave të përfituara, ata e kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha.
Mësohet se është sekuestruar një pulari në Shkodër me vlerë investimi mbi 1,5 milionë Euro, 10 apartamente banimi në plazhin e Velipojës, 1 apartament banimi në Shkodër dhe 14 automjete prodhim i viteve të fundit.
Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave me të cilët kishin lidhje miqësore.
Aktivitetin e tyre ata e kishin shtrirë Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Slloveni e Suedi. Ata akuzohen se kanë trafikuar ne total 1650 kg kokainë dhe heroinë në këto vende të Europës.
Më 26 Qershor, gjatë një aksioni të forcave të Europolit të koduar “Goldfinger”, këtij grupi kriminal iu sekuestruan në Danimarkë 200 mijë Euro, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes.
Veritas.com.al/