Serbia ka kërkuar zyrtarisht që të përfshihet në hetimet për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, që u krye dje në Veri të Mitrovicës. Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se Ministria e Drejtësisë e Serbisë kërkesën për përfshirje në këtë hetim e ka dorëzuar në zyrën e BE-së në Beograd, një kanal i zakonshëm për komunikim ndërmjet palëve. Kjo kërkesë tashmë ka arritur në Ministrinë e Drejtësisë të Kosovës

Aktualisht hetimet po kryhen nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, nga një prokuror shqiptar dhe serb.

Por, dje pala serbe, më saktësisht Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për media, ka thënë se Serbia do t’i drejtohet zyrtarisht UNMIK-ut dhe EULEX-it që edhe organet serbe të përfshihen në hetime.

Kjo ka ndodhur sot kur ministrja serbe, Nela Kuburovic, ka nisur shkresë në adresë të Zyrës së BE-së në Beograd, e cila e ka proceduar atë në Kosovë.

Kryeministri Ramush Haradinaj dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës, kanë njoftuar se për hetimin në fjalë është krijuar një Taskë Forcë.

Ata, po ashtu, kanë thënë se në rast se paraqitet nevoja në këtë hetim do të përfshihet edhe Byroja Federale e Hetimeve (FBI), me të cilën Policia e Kosovës ka edhe marrëveshje.

Mbetet të shihet se cila do të jetë përgjigja e ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, rreth përfshirjes së Serbisë në këto hetime. Por Tahiri, në një prononcim dje në mbrëmje për Gazetën Express, ka thënë se është e mirëseardhur ndihma e secilit që jep informacione për këtë vrasje, por ai ka përjashtuar mundësinë që organet e Beogradit të jenë pjesë e hetimeve.

Në reagimin e djeshëm, BE ka ofruar EULEX-in për të ndihmuar rreth hetimit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit, ndërkohë që ambasadorët perëndimorë në reagimet e tyre kanë kërkuar që hetimet të kryhen ekskluzivisht nga autoritetet e Kosovës.

 

Veritas.com.al/