-Vila është zgjedhur në një kodër të pjerrët. Në këtë mënyrë është më pak e ekspozuar nga rreziku i tërmeteve, sipas BE-

Brukseli ka dhënë shpjegime në lidhje me vilën 1.65 milionë Euro të ambasadores së BE në Tiranë Romana Vlahutin.

Për Bashkimin Europian, të gjitha procedurat janë ndjekur me korrektësi. BE ka konfirmuar gjithashtu se vila ka kushtuar 1.65 milionë Euro, ashtu siç kanë shkruar dhe mediat. Por, Brukseli shton se shitësi u kishte kërkuar fillimisht 1.7 milionë Euro, e në këtë mënyrë BE kurseu rreth 100 mijë Euro.

Duke shpjeguar procedurat e ndjekura, rezulton se BE u kishte bërë thirrje agjentëve të shitjeve në Tiranë për të gjetur rezidencë për ambasadoren e BE. Agjentët propozuan 15 prona, nga të cilat u vizituan vetëm 5. Rezultati tashmë dihet, një rezidencë 345 m2 në periferi të Tiranës tek “Rolling Hills”.

Sipas shpjegimit të Brukselit, vila është zgjedhur në një kodër të pjerrët, e në këtë mënyrë është më pak e ekspozuar nga rreziku i tërmeteve. Po kështu, janë marrë parasysh edhe elemente të tjera sigurie.

Dhe në fund është pjesa më interesante: BE pranon gjithashtu edhe standardin e lartë të jetesës së ambasadores Vlahutin, e për këtë arsye vila u zgjodh duke u marrë parasysh shumë kritere.

/Veritas.com.al/