Partia “Sfida për Shqipërinë” në një deklaratë të fundit për mediat, reagon ndaj kërkesës së PS+LSI në KQZ për shtyrjen e afatit të regjistrimit për zgjedhje.

‘Në një akt të paprecedentë të thyerjes së Kushtetutës dhe kodit zgjedhor, Partia Socialiste dhe aleatja e saj Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë kërkuar KQZ-së që të shtyjë afatin për regjistrimin e koalicioneve partiake si subjekte zgjedhore dhe sikurse pritet në një veprim dhe vendim vasaliteti politik Denar Biba dhe 3 anëtare të tjerë të KQZ-së pritet t’i thonë “po” urdhrit politik të shumicës së majtë që po vendos interesat partiake mbi interesat e Shqipërisë dhe qytetarëve’, thuhet në deklaratë.

Në këtë akt vetëm për t’i dhënë legjitimitet politik zgjedhjeve KQZ po merr atributet e Kuvendit të Shqipërisë – vazhdon deklarata-  duke ndryshuar kodin zgjedhor kur detyra e saj është të administrojë një proces zgjedhor jo të rregullojë ose ndryshojë kodin zgjedhor.

Sipas “Sfidës për Shqipërinë”, dy standarde po ndjekin edhe ndërkombëtarët që heshtin kur shohin sesi thyhet kushtetuta dhe ligjet në Shqipëri. Sfida për Shqipërinë e denoncon me forcë këtë akt të rrezikshëm anti-shtet, anti-kushtetues dhe diktatorial. Sfida për Shqipërinë do ta ndjekë ligjërisht dhe do ta apelojë këtë vendim të parapërgatitur dhe të para votuar të KQZ-së për të shtyrë afatin e regjistrimit të subjekteve zgjedhore në KQZ.

/Veritas.com,al/