Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar zyrtarisht ratifikimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh për Shqipërinë, e cila do të financojë investimet në fushën e mbrojtjes.

Në njoftimin e palës amerikane thuhet se kjo hua do të mbështesë Shqipërinë në përmbushjen e objektivit për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035.

Huaja FMF (Financim Ushtarak i Huaj) do të ndihmojë në modernizimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, duke mbështetur blerjen e kapaciteteve kryesore me origjinë amerikane. Sipas njoftimit, ajo do të forcojë gjithashtu aftësinë e Evropës për të udhëhequr në mënyrë më të pavarur në fushën e mbrojtjes.

SHBA vlerëson më tej rolin e Shqipërisë në strukturat ndërkombëtare të sigurisë, përfshirë pjesëmarrjen e saj si anëtare themeluese e Bordit të Paqes të Presidentit Trump.

Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për financimin prej rreth 302 milionë dollarësh për ushtrinë shqiptare u miratua me procedurë të përshpejtuar në Kuvend.

Pavarësisht kundërshtimeve të forta nga Partia Demokratike, mazhoranca socialiste e futi marrëveshjen në rendin e ditës dhe e miratoi atë me 74 vota. Demokratët, edhe pse deklaruan se ishin parimisht pro marrëveshjes, bojkotuan seancën parlamentare.

Marrëveshja parashikon financimin e blerjes së pajisjeve ushtarake sipas standardeve të NATO-s, ndërsa fondet do të disbursohen në bazë të nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *