Sipas AFP/
Anti Trump-ët më të egër ëndërrojnë një revoltë të minutës së fundit, por kolegji elektoral, veçanti amerikane, në mënyrë thuajse të sigurt duhet të emërojë biznesmenin shtatëdhjetë vjeçar si presidentin e 45të të Shteteve të Bashkuara.
Kundërshtarët e tij, të shumtë, denoncojnë sistemin zgjedhor që bie ndesh me parimin “një njeri, një votë” dhe që ka për efekt pervers t’i shtyjë kandidatët për president të bëjnë fushatë vetëm në një numër të kufizuar shtetesh dhe të neglizhojnë pjesë të tëra të tjera të vendit.
Por pavarësisht nga kritikat e zjarrta që i janë bërë kësaj mënyre votimi prej dekadash, asnjë reformë nuk është ndërmarrë asnjëherë për ta ndryshuar.
Kur iu drejtuan kutive të votimit në 8 nëntor, amerikanët në realitet nuk votuan drejtpërdrejt banorin e ardhshëm të Shtëpisë së Bardhë … por 538 zgjedhësit e mëdhenj të ngarkuar për ta bërë këtë.
Donald Trump fitoi një mazhorancë të pastër nga këta të fundit (306) edhe pse rivalja e tij demokrate Hillary Clinton mori më shumë vota. Situata nuk është e re: e njëjta gjë ndodhi konkretisht në 2000 gjatë fitores së George W. Bush përballë Al Gore.
Të hënën këta zgjedhës të mëdhenj do të mblidhen në secilin prej 50 shteteve të vendit për të emëruar presidentin dhe zëvendës presidentin.
Në përfundim të një fushate me një agresivitet të jashtëzakonshëm, kjo etapë e procesit zgjedhor që zakonisht kalon pa u vënë re, ka marrë një rëndësi të veçantë.
– ‘Zgjedhës të pabesë’ –
Eshtë gjë e rrallë që zgjedhësit e mëdhenj të mos ndjekin rezultatet e votimit. Në ato pak raste të konstatuara ndër vite, nuk kanë mjaftuar për ta ndryshuar emrin e zyrtarit të ardhshëm të Zyrës Ovale.
Një pjesë e klanit demokrat, që sheh tek presidenca Trump një rrezik për demokracinë amerikane, rri megjithatë me shpresë se shumë prej dhjetëra republikanëve do të vendosin të mos votojnë për tribunin populist. Nëse kjo ndodh, i takon Dhomës së përfaqësuesve të caktojë pasardhësin e Barack Obamas.
Është firmosur një peticion prej pesë milion firmash nga yje të Hollywood-it, ndër të cilët Martin Sheen (“Presidenti Bartlet” në serialin mitik “Në Shtëpinë e Bardhë”), dhe javën që u mbyll është shpërndarë një video ku bëhet thirrje për kryengritje.
“Ju keni mundësinë dhe rastin të bëheni, në libra, heronjtë amerikanë që ndryshuan rrjedhën e historisë”, apelojnë ata para kamerave në adresë të zgjedhësve të mëdhenj republikanë, të panjohurit e famshëm, që befas bëhen objekt i tërë vëmendjes.
Por kjo sipërmarrje ka pak gjasa të ketë sukses: nuk ka asnjë indicie që 37 “zgjedhës të pabesë” të Grand Old Party të vendosin të braktisin Donald Trump-in. Deri tani, vetëm një prej tyre, Christopher Suprun, në Texas, ka njoftuar publikisht se do ndjekë këtë apel për revoltë.
Rezultati final mund të mos njihet që të hënën, shtetet kanë në dispozicion një periudhë disa ditore për të komunikuar shifrat e tyre. Çfarëdo që të ndodhë, Kongresi do të njoftojë emrin e presidentit të zgjedhur në 6 janar pas numërimit zyrtar të votave.
– Sistem ‘shkatërrimtar’ apo ‘gjenial’? –
I pyetur të premten gjatë konferencës së tij të fundit për shtyp përpara se të fluturojë për në Hawaï, Barack Obama pranoi se ky sistem është “një relikte e së shkuarës, një trashëgimi e një vizioni të vjetër të funksionimit të qeverisë sonë federale” dhe se ai mund të qe në disfavor të demokratëve.
Megjithatë, presidenti në largim e ftoi kampin e tij të nxjerrë mësime nga dështimi dhe të punojë për një strategji për të ardhmen në vend që të qahet për rezultatet e votimit apo të përpiqet ta vërë atë në diskutim.
“E vërteta është se po të kemi një mesazh të fortë, po t’i përgjigjemi pritshmërive të amerikanëve, vota popullore dhe vota e kolegjit zgjedhor janë të njëjta”, nënvizoi ai, duke aluduar për dy fitoret e tij të 2008-ës dhe 2012-ës, ku kjo gjë ndodhi.
Për David Pozen, profesor i së drejtës në Columbia Law School, përplasja për këtë procedurë origjinale ka së paku një vlerë: Nxjerrjen në pah të nevojës imediate për ndryshim.
“Rritja e interesimit të publikut për kolegjin zgjedhor nënvizon nevojën për t’u çliruar nga ky institucion i tejkaluar dhe thelbësisht antidemokratik”, shkruan ai në një analizë të botuar në New York Times.
Në nëntor 2000, Hillary Clinton, senatore e sapozgjedhur e Nju Jorkut, qe prononcuar qartazi për një reformë dhe kalimin në votim të përgjithshëm të drejtpërdrejtë.
Donald Trump-i, nga ana e tij, ka ndryshuar radikalisht mendim për këtë çështje në katër vitet e fundit.
“Kolegji zgjedhor është një shkatërrim për demokracinë”, shkruan ai në Twitter në nëntor 2012.
“Kolegji zgjedhor është në fakt një truk gjenial, ai u mundëson të gjithë shteteve, përfshi edhe ata më të vegjlit, të luajnë një rol”, shkruan ai disa ditë pas fitores së tij surprizë të 8 nëntorit.