Sot do të mbahet ceremonia mortore për Kryepeshkopin Anastas Janullatos, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore, që do të drejtohet nga Bartolemeu, i pari i ortodoksëve në botë.

Trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në një ambient të posaçëm brenda Kishës, që do jetë edhe i vizitueshëm. Klerikët do të mbajnë meshë përshpirtjeje me turne e pa ndërprerje deri kur trupi i kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur në kriptën e nëndheshme, brenda Katedrales.

Ceremonia do të drejtohet nga Mitropoliti i Korçës, Joan, i cili u vendos nga mbledhja e Sinodit të Shenjtë si kujdestar i fronit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në ceremoninë mortore priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të klerit në botë dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse.

Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Konfirmohet pjesëmarrja e Kryeministrit grek, Mitsotakis, me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar, ndërsa do ketë fjalime nga klerikë e politikanë, mes tyre edhe dy Kryeministrat Rama e Mitsotakis.

Gjithashtu në ceremoni do të marrë pjesë Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu, Patriarku i Izraelit Theofili i Jerusalemit, Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi, Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë etj.. Gjithashtu, në ceremoni priten Kryepeshkopi dhe klerikë nga Polonia, drejtues të “Saint Egidio” në Itali; delegacion nga Këshilli Botëror i Kishave (institucion që përfshin të gjitha kishat, katolike, protestante apo ortodokse), përfaqësues nga unioni ‘Fetë për Paqen’, një delegacion nga kishat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës etj..

HOMAZHET

Ditën e djeshme në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë vijuan homazhet për Kryepeshkopin Anastas.

Qindra besimtarë, klerikë të feve të tjera, politikanë dhe qytetarë, i dhanë lamtumirën Fortlumturisë Anastas në ditën e dytë të homazheve. Në katedralen e Kishës Ortodokse ka qenë edhe Baba Mondi, Kryegjyshi Botëror Bektashi, i cili shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos duke shtuar se ai ishte një njeri bashkëpunues me të gjithë komunitetin fetar dhe se po largohet duke lënë pas një vepër të mirë për kishën dhe shqiptarët.

“Fortlumturia është personalitet i Kishës Ortodokse Shqiptare, i cili ka punuar me vetëmohim për ta ngritur këtë kishë nga varri. Ka qenë njeri që ka bashkëpunuar me të gjitha komunitetet fetare dhe sidomos me mua personalisht dhe më vjen keq për çdo njeri që largohet nga kjo botë, por ai po largohet me një vepër që i ka lënë pas Kishës Ortodokse Shqiptare, por edhe shqiptarëve. Ngushëllime Kishës Ortodokse, Zoti e pastë në parajsat e veta. Qofshi dritë dhe Zoti na bekoftë të gjithëve, amin!”, – tha Baba Mondi.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *