Vapa zhuritëse e 11 gushtit në kryeqytetit u la pas teksa dhjetëra qytetarë të grupmopshave të ndryshme zunë vend në makinat e rreshtuara për një udhëtim të përbashkët.

“Shiu i yjeve” ishte togfjalëshi më i dëgjuar prej turmës shumëngjyrëshe, i cili do të përjetohej prej tyre në fshatin Fushë Studën të Librazhdit, pjesë e Parkut Kombëtar të Shebenikut.

Ky është viti i katërt që 28 vjeçari Lyto Alliu, pjesë e guidës lokale “Shebenik Egnatia Explorers” organizon kampin e yjeve. Ndërsa datat 11,12 dhe 13 gusht konsiderohen më të rëndësishmet e muajit për sa i përket densitetit të rënies së meteorëve Perseid dhe dukshmërisë së tyre me sy të lirë.

Grupe shoqërore, familjarë e fëmijë pasi vizituan qendrën e vizitorëve të Parkut Kombëtar të Shebenikut dhe u njohën me historikun e zonës dhe shumëllojshmërinë e faunës dhe florës, u mblodhën rreth zjarrit të ndezur karshi çadrave të kampingut.

Shumëllojshmmëria e grupmoshave dhe rikthimi për të disatën herë e të tjerë turistëve janë dy karakteristika që guida Lyto Alliu nxjerr në pah.

“Jam shume i suprizuar, jam shumë i kënaqur në të njëjtën kohë që vitin e parë e kemi nisur me 20 veta dhe sot e kësaj dite ka një numër të pafundëm që vetëm po rritet. Vitin e kaluar kishim mbi 400 persona dhe këtë vit lajmi është që nga tre net këtë vit do të jemi të fokusuar në katër net. Grupmoshat që vijnë në këtë kamp janë të ndryshme. Më i vogli është 3 vjec dhe më i madhi sonte është 69 vjeç”, – shprehet ai.

Ky fenomen i shiut të meteorëve ndodh në të gjithë botën, mirëpo është i dukshëm në qiej të kthjellët e të pastër, veçanërisht në zona të gjelbërta.

Parku Kombëtar i Shebenikut me një vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2022 ka shtuar sipërfaqen nga 33 ha në 34 ha. Ndërsa është zonë ndërkufitare me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Numëron një sërë vlerash të biodiversitetit, bimëve të rralla, liqeneve akullnajore, si dhe drurëve të vjetra të ahut të mbrojtura nga UNESCO (në pjesën e Rrajcës).