Sot do të mblidhet sërish Bordi Kombëtar i Administrimit të Karburanteve, ku pritet të ketë një rritje të çmimeve, pasi e njëjta gjë ka ndodhur edhe në tregjet ndërkombëtare.

Aktualisht në të gjitha pikat e karburantit nafta po shitet me 221 lekë litri, ndërkohë që benzina është rritur me 5 lekë nga 206 lekë në 211 lekë për litër. I palëvizur në 93 lekë mbetet çmimi i gazit.

Ndërkohë në tregjet e huaja çmimi i naftës bruto ka arritur deri në 118 dollar fuçia.

Çdo operator i shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës, është i detytuar të zbatojë Vendimin e Bordit të Transparencës në lidhje më çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, në të kundërtën do të ndëshkohet duke nisur nga gjoba nga 2 mln lekë për ato që tregojnë me pakicë deri në 10 mln lekë për shumicën, por edhe heqja license nëse shkelja është e përsëritur.

Kujtojmë se Bordi i Administrimit të Karburanteve u ngrit pikërisht për të bërë transparent lëvizjen e çmimit të naftës në bursë e ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe shmangien e  abuzimeve brenda tregut tonë me karburantet.