Pas propozimit të 49 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë për shkarkim të Presidentit Meta është mbledhur sot Komisioni Parlamentar i Ligjeve. Komisioni mori në shqyrtim kërkesën dhe mundësinë e ngritjes së një komisioni hetimor.

Në mbledhje ka folur edhe nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, e cila ka bërë një parashtrim të fakteve që sipas saj vërtetojnë shkeljen e rëndë që Meta i ka bërë Kushtetutës.

“Presidenti i Republikës është simboli i unitetit të kombit, ai nuk duhet të shkaktojë konflikte apo të përçajë kombin. Atij nuk i lejohet të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht në Kushtetutë apo që i jepen me ligj. Presidenti i Republikës ka cenuar qoftë nenin 92 dhe atë 94 të Kushtetutës. Këto përbëjnë shkelje të rënda dhe flagrante të Kushtetutës. Këto sjellje kanë sjellë ndasi sociale dhe politike. Presidenti ka mbajtur hapur një anë politike gjatë gjithë fushatës zgjedhore. Ai në mënyrë të vazhdueshme ka bërë thirrje për dhune”, tha Hysi, e cila nënvizoi gjithashtu se grupi i firmëtarëve vlerëson se këto akte janë në kundërshtim me kornizën ligjore dhe etike.

Sipas saj në të gjitha daljet politike Presidenti ka mbajtur qëndrim tërësisht të njëanshëm politik në favor të opozitës. Relatorja e kërkesës së deputetëve për shkarkimin e Metës, Klotilda Bushka tha sot në Komisionin e Ligjeve se nisma është legjitime

Anëtarët e Komisionit vendosën se mbledhja e radhës të zhvillohet ditën e nesërme në orën 11:00, edhe pse Meta kërkoi datën 10 maj. Kryetari i Komisionit Ulsi Manja tha se Kuvendi do ta njoftojë edhe elektronikisht, edhe me letër për këtë mbledhje. Sipas Manjës Diskutimi  dhe përmbledhja e raportit do të bëhet në mbledhjen e radhës pas dëgjimit edhe të Presidentit të Republikës.

Presidenti Ilir Meta përmes një letre e ka njoftuar sot Kuvendin e Shqipërisë se ai ka marrë një njoftim për mbledhje por qëe nuk i është dhënë asnjë sqarim se përse po thirret. Meta thotë se është gati të vijë në datë 10 maj, e cila përkon dhe me ‘Ditën Kombëtare të Drejtësisë’.

Kujtojmë se Komisioni i Ligjeve përgatit një raport dhe vendimin nëse do të ngrihet apo Komisioni Hetimor i takon Kuvendit të Shqipërisë.  Ndërsa hetimin e natyrës së shkeljeve të Presidentit të Republikës, pra janë të rënda apo jo, do të jetë Komisioni Hetimor që e vendos diçka të tilla.

VERITAS.COM.AL