Komisioni i Ligjeve vendosi të zhvillojë nesër në orën 11:00 mbledhjen e radhës në lidhje me kërkesën për shkarkimin e presidentit, me 13 vota pro, një kundër, dhe asnjë abstenim.

Gjatë miratimit të këtij orari, pati dhe debate mes kryetarit të komisionit, Ulsi Manaja dhe deputetit opozitar Adriatik Alimadhi, pasi ky i fundit kërkoi që të respektohej data e ofruar nga Presidenti Ilir Meta.

Ulsi Manaja: Mbledhja e radhës të jetë nesër në datën 6 ora 11:00 që t’i mundësojmë presidentit që të shprehet përpara komisionit dhe më pas do të vijojmë me procedurën e Komisionit të Ligjeve sipas rregullores. Në rastin konkret datën dhe orën e vendos Komisioni.

Adriatik Alimadhi: Zoti Manja, por sikur të vendosim datën 10.

Ulsi Manja: Me ty ka rënë dakord presidenti?
Adriatik Alimadhi: Me ju? Më sqaroni, nuk i jam nënshkruar askujt.

Ulsi Manja: Në zbatim të nenit të rregullores, nëse Presidenti i Republikës do të shprehet në komision, komisioni është i detyruar ta garantojë atë. Presidenti ka dashur datën 10 maj, unë  si kryetar i komisionit hodha datën 6.

Adriatik Alimadhi: Unë votoj kundër.

Ulsi Manja: Zoti Alimadhi e shoqëron votën kundër edhe me një retorikë politike. 13 pro, 1 kundërt, asnjë abstenim, mbledhja e Komisionit të Ligjeve do të jetë nesër në orën 11:00 dhe në rend dite do të jetë edhe njoftimi i Presidentit të Republikës për t’u dëgjuar dhe shprehur në lidhje me kërkesën e një grupi prej 50 deputetësh që kanë kërkuar shkarkimin e Presidentit. Mbledhja do të zhvillohet përmes platformës online CiscoWebex. Unë ftoj sekretarinë e Komisionit të Ligjeve që të njoftojë Presidentin e Republikës për mbledhjen e nesërme së bashku me rendin e ditës, dhe të marrë masa që të mundësojë komunikimin përmes platformës online.

Kujtojmë se përmes një letre drejtuar Kuvendit, Presidenti i Republikës Ilir Meta, kërkoi që të paraqitet më datë 10 maj në Komisionin e Ligjeve, në lidhje me nismën e ndërmarrë nga 49 deputetë për shkarkimin e tij.