Është shkarkuar nga detyra prokurori i Tiranës Bajram Breçani. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjeti probleme në dy kritere, pasurinë dhe profesionalizimin.
Gjatë detyrës së tij si prokuror, Bajram Breçani pushoi hetimin për vrasje ndaj të akuzuarit Gjergj Cukalit. Breçani u denoncua nga bashkëshortja e ish-efektivit të policisë Arben Bilali, për pushimin e hetimeve ndaj të dyshuarit për vrasjen e bashkëshortit të saj në Tiranë në janar të vitit 2019. Denoncuesja pretendonte se subjekti nuk ka zbatuar vendimin e gjykatës së Apelit dhe se ka manipuluar qëllimisht situatën.
Breçani e ka filluar karrierën si prokuror në vitin 1995 dhe e ka ushtruar këtë detyrë deri në vitin 2000. Ai është rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 2013 si prokuror në Prokurorinë e Krujës. Një vit më vonë është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit ku ka shërbyer deri në vitin 2016, kur u caktua në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Ndërkohë kanë mbetur pa kaluar në filtër afro 250 prokurorë të prokurorive të Shkallës së Parë dhe Apelit.