(FOTO: Kryetare e Bashkisë, Voltana Ademi gajtë inspektimeve në terren)/

Situata në territorin e bashkisë së Shkodrës është rënduar nga përmbytjet që kanë vijuar edhe në orët e fundit.

Bashkia e Shkodrës ka publikuar shifrat alarmante për sipërfaqet e përmbytura dhe dëmet në kulturat bujqësore.

Në Dajç rezultojnë 430 hektarë tokë e përmbytur, ndër të cilat në Mushan 35 ha, në Shirq 110 ha, në Darragjat 10 ha dhe 275 ha në Kënetën e Dajçit.

Në Njësinë Administrative ‘Ana e Malit’ situata është edhe më e rëndë. Rreth 1000 ha tokë janë të përmbytura, ndër të cilat fshati Muriqan 400 ha, fshati Oblikë 290 ha dhe fshati Obot 310 ha.

Specialistët e Bashkisë gjatë vëzhgimeve në terren kanë konstatuar se dëmet deri tani arrijnë në 56.980.000 lekë të reja.

Bashkia e Shkodrës ka bërë të ditur se i është drejtuar me një shkresë zyrtare Prefekturës së Qarkut të Shkodrës, ku kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme “pasi rrezikohet rëndë shëndeti dhe jeta e popullatës, gjësë së gjallë, pasurisë e mjedisit”.

Vetë kryetarja Voltana Ademi ka denoncuar shkarkimet e pakontrolluara nga HEC-et dhe keqmenaxhimin e kaskadës së lumit Drin.

Veritas.com.al

28684927_1012585128895333_2518996794390609920_n