Qindra shoferë që ecin me shpejtësi 3-fish mbi normën e lejuar, të dehur në timon, që bëjnë gara shpejtësie në rrugë, apo që kanë kryer shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit, janë ndëshkuar nga Policia Rrugore përgjatë muajit që lamë pas.
Në një bilanc për muajin korrik, Policia rrugore bën me dije se janë arrestuar në flagrancë 344 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 184 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 160 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Po ashtu janë pezulluar 1799 leje drejtimi, nga të cilat 1123 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 424 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 252 për qarkullim në sens të kundërt.
Janë ndëshkuar me gjobë 46049 drejtues mjetesh, për shkelje të rregullave të qarkullimit.
Policia Rrugore, nisur edhe nga fakti që jemi në sezon turistik që ka sjellë dhe një fluks të shtuar të lëvizjes në rrugë, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të qarkullojnë brenda shpejtësisë së lejuar, të mos kryejnë parakalime të gabuara e manovra të rrezikshme në rrugë, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë mjetin nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse dhe të respektojnë radhën në raste kur ka ngadalësim të qarkullimit për shkak të fluksit të madh të automjeteve.
Po ashtu bëhet me dije se kudo ka patrulla të lëvizshme të Policisë Rrugore, me mjete të paloguara, dronë, kamera dhe aparate fotografike, për të ‘kapur’ shoferët e papërgjegjshëm.