Shorti i eliminatoreve të Kampionatit Botëror të futbollit e ka vendosur Shqipërinë në një grup tejet të vështirë së bashku me Anglinë, e cila është koka e grupit dhe Serbinë.
Kuqezinjtë janë renditur në grupin K me 5 ekipe, Angli, Serbi, Letoni dhe Andorra.
Anglia është një nga skuadrat më të vështira për kuqezinjtë, sidomos në fazën eliminatore aty ku rrallë herë lë pikë, ndërsa me Serbinë jemi ndeshur në eliminatoret e Europianit të vitit 2016, në atë përballje të Beogradit, e cila u përfshi nga trazira të shumta dhe takimi u ndërpre dhe Shqipëria e fitoi në tavolinë 0-3.
Dy ekipet e tjera në grup, Letonia dhe Andorra, të paktën në letër janë lehtësisht të kalueshme.
Çfarë ndodhi më 14 tetor 2014 në Beograd?
Më 14 tetor 2014, ndeshja mes Serbisë dhe Shqipërisë, pjesë e kualifikueseve të Euro 2016, u ndërpre në orën 21:27, pas futjes në fushë të tifozëve serbë, të cilët u përleshën me lojtarët e kombëtares sonë.
Një turp i paralajmëruar për Serbinë ky, pasi UEFA nuk kishte lejuar pjesëmarrjen e tifozëve shqiptarë në ndeshje për arsye sigurie. Pasi vërshëllyen himnin tonë kombëtar dhe bërtitën thuajse gjatë gjithë kohës “Vritini shqiptarët”, tifozët serbë bënë që takimi të ndërpritej në mes.
Në minutën e 42-të, një dron me flamurin shqiptar dhe portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit u shfaq mbi stadium. Pasi një lojtar serb e mori flamurin, lojtarët e Shqipërisë iu afruan për t’ia marrë nga dora. Tensioni mes futbollistëve në fushë degjeneroi në një sherr masiv, pasi – pavarësisht pranisë së shtuar të forcave të sigurisë – tifozë serbë u futën në fushë duke goditur lojtarët tanë.
Lojtarët shqiptarë nuk pranuan të dilnin më në fushë dhe u kthyen në Tiranë rreth orës 3 të mëngjesit, duke u pritur si heronj në Aeroportin e Rinasit.
Beteja kaloi nga fusha e lojës në burokracitë e UEFA-s. Kjo e fundit vendosi më 24 tetor 2014 që ndeshja të fitohej 3-0 në tavolinë nga Serbia, meqë shqiptarët nuk pranuan të luanin. Por një vit më vonë, tri pikët iu akorduan Shqipërisë, pas vendimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Edhe përmes këtij rezultati në tavolinë, Shqipëria arriti të sigurojë kualifikimin historik për në Kampionatin Europian të vitit 2016, që zhvillohej në Francë.
Autorësinë e fluturimit të dronit mbi stadiumin e Beogradit e mori Ismail Morina, i njohur si Ballisti.
Sot, një dekadë më pas, pavarësisht tensioneve politike që lidhen kryesisht me Kosovën, Shqipëria dhe Serbia kanë aplikuar për të organizuar bashkë Europianin U-21, që do të zhvillohet në vitin 2027. UEFA nuk ka dhënë ende një përgjigje zyrtare edhe pse kjo është kandidatura e vetme.
Vendimi ka ngjallur shumë reagime në Shqipëri dhe Kosovë, ku i kërkohet Federatës Shqiptare të Futbollit të tërhiqet nga kjo nismë.
Komente