Gazetari Çlirim Peka ka bërë një analizë gjeopolitike ku tregon problemet e Shteteve të Bashkuara, politikës së jashtme dhe të brendshme, si dhe raportet që ka populli amerikan me historinë.

Në analizën e tij, administratori i Zeni.Net dhe ZeniTv, jep alarmin se Amerika po shkon drejt degradimit dhe shthurjes.

 Gjeopolitikani i bën thirrje shqiptarëve që flamurin amerikan ta fusin në sunduk dhe mos e nxjerrin derisa SHBA të mos merret më me Berishën të shpallur tashmë “non grata”.

Më poshtë po përcjellim një nga pasazhët më kulminant të penës Pekjane:

“Sot nuk kemi një Amerikë, por dy. Një Amerikë që kërkon legalizimin e kanabisit, që lejon abortin edhe në ditët e fundit të shtatzënisë, që emrat ‘nënë’ dhe ‘baba’ kërkon t’i shndërrojë në ‘Personin 1’ dhe ‘Personin 2’, që certifikata e lindjes nuk duhet të shënojë gjininë mashkull apo femër, që i kthen kurrizin himnit kombëtar në shenjë proteste ndaj diskriminimit racor, dhe që refuzon të nderojë flamurin kombëtar. Një Amerikë që rrëzon statujën e George Washington dhe ngre atë të një delinkuenti si George Floyd.

 Kemi dhe një Amerikë tjetër, që është e kundërta e kësaj. Kemi Amerikën e parë që është peng e George Soros dhe atyre që qëndrojnë prapa tij, kemi dhe një Amerikë tjetër, atë të partisë republikane, nën sundimin e Donald Trump. Kemi një Amerikë që tundet si lavjerrës nga një palë zgjedhje në tjetrën. Sa më majtas shkon në një palë zgjedhje, aq më djathtas shkon në zgjedhjet e tjera. Një Amerikë ku ikën një ‘socialist’ si Obama për t’i lëshuar vendin një personi si Donald Trump. Një Amerikë ku ikën një ‘wokeist’ si Biden, për t’i lëshuar vendin një Trump-i tjetër.

Një Amerikë që luftën e brendshme ideologjike e eksporton jashtë. Një Amerikë sot, që në njërën anë mban Edi Ramën, Aleksandër Vuçiç, Zoran Zaev, dhe në anën tjetër godet Jaroslaw Kaczynski-n, dhe partinë e tij konservatore ‘Ligj dhe Drejtësi’ në Poloni; Viktor Orban dhe partinë e tij konservatore ‘Fidesz’ në Hungari, Benjamin Netanjahun dhe partine e tij konservatore ‘Likud’; Mateo Salvinin dhe partinë e tij konservatore ‘Lega Nord’ në Itali, e, sigurisht Sali Berishën e Partinë Demokratike. Pa përmendur Ukrainën dhe historinë e saj tragjike të vitit 2014.

E parë nën këtë vështrim, askujt nuk duhet t’i vijë çudi që ambasadorja ‘woke’ e SHBA-ve citon Enver Hoxhën, si litarin në shtëpinë e të varurit, (edhe pse Parlamenti Europian me një Rezolutë të vitit 2019 i ka barazuar krimet e nazizmit me ato të komunizmit dhe u bën thirrje qeverive që të ndalojnë dhe dënojnë glorifikimin e tyre), dhe retushon pamjet e vizitës së Sekretarit Baker në Tiranë, bash si ‘Projekti 1619’ i të majtës amerikane.

Në këto kushte, Sali Berishës dhe Partisë Demokratike nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të mbijetojë e të presin zgjedhjet e vitit 2024 në SHBA, ashtu si konservatorët e tjerë anë e mbanë Europës.

Kurse Marku i presekutuar nga regjimi i ‘Qoftëlargut’, flamurin amerikan që e mban të shenjtë, bën mirë ta fusë në një sënduk, për ta nxjerrë ditën kur një ambasador amerikan të mos citojë më Enver Hoxhën”, shkruan Çlirim Peka.