Ura që lidh Krimenë me Rusinë është djegur nga një zjarr i madh i shkaktuar nga shpërthimi i kamionit-bombë. Një pjesë e urës ka përfunduar në det. Shpërthimi që zgjoi banorët rreth orës 6 të mëngjesit, solli djegien e 7 depozitave të karburantit që ishin në një tren mallrash, pranë të cilit shpërtheu kamioni.
Ende nuk dihet nëse ka viktima apo të plagosur. Në një reagim, këshilltari i presidentit Zelensky, Mikhaylo Podolyak thotë se është vetëm fillimi pasi sipas tij, çdo gjë e vjedhur duhet të kthehet në Ukrainë. Ura e Kerçit është në gjendje të mbajë 40,000 makina në ditë dhe 13 milionë ton ngarkesë në vit. Kjo urë u hap nga Presidenti Vladimir Putin në vitin 2018, katër vjet pasi Moska aneksoi ilegalisht Krimenë.
Lufta në Ukrainë ka arritur në ditën e 227-të. Një seri shpërthimesh nga forcat ruse tronditën qytetin e Kharkiv në Ukrainën lindore. Aktualisht nuk raportohet për viktima, por raportohet se një spital është përfshirë nga flakët. Teksa rritet frika për sulm bërthamor nga Rusia, presidenti i SHBA, Joe Biden tha: “Putin nuk bën shaka kur flet për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore sepse ushtria e tij po ecën shumë keq.” Presidenti Joe Biden deklaroi se rreziku i një “Armagedoni” bërthamor është në nivelet më të larta që nga kriza e raketave në Kubë në vitin 1962.
“Nuk jemi përballur me mundësinë e Armagedonit që nga koha e Kennedy-it dhe krizës së raketave në Kubë. Përdorimi i një arme taktike me mbushje më të vogël mund të dilte me shpejtësi jashtë kontrollit dhe të sillte shkatërrim global. Nuk mendoj se ekziston diçka e tillë si mundësia për të përdorur lehtësisht një armë taktike dhe që të mos përfundojë në Armagedon”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë në një aktivitet për mbledhje fondesh të Komitetit të Fushatës Demokrate për Senatore.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se nuk ka ende një kërcënim për sulm bërthamor nga Rusia. Një ditë më parë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se zyrtarët rusë kanë nisur “të përgatisin shoqërinë e tyre” për përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore, por shtoi se ai nuk beson se Rusia është e gatshme t’i përdorë ato.