Tym i zi ka dalë nga oxhaku i Kapelës Sistina në Vatikan, duke sinjalizuar se edhe dy votimet e zhvilluara këtë të enjte nuk kanë prodhuar një rezultat.

Konklava për zgjedhjen e pasuesit të Françeskut, i ndarë nga jeta më 21 prill nisi të mërkurën, kur kardinalët u mbyllën në kapelën e famshme me afreskët e Mikelanxhelos, për të zhvilluar vetëm një votim gjatë pasdites, i cili po ashtu dështoi.

Është e pazakontë që Papa të zgjidhet që në ditën e parë të konklavës, dy të fundit kanë zgjatur 2 ditë. Gjatë ditës së sotme dhe atyre në vijim, parashikohen 4 votime në ditë. Pas dy raundeve të zhvilluara paradite do të ketë edhe 2 të tjera gjatë pasdites, në përfundim të të cilave do të dalë dhe tymi nga oxhaku i Kapelës.

133 kardinalët me të drejtë vote nën moshën 80-vjeçare po qëndrojnë të izoluar në Vatikan, pa kontakte me botën jashtë deri në zgjedhjen e Papës së ri. Votimi zhvillohet në mënyrë të fshehtë dhe në përfundim të raundeve, fletët digjen dhe prej oxhakut të vendosur në Kapelën Sistina vjen edhe sinjali për rezultatin; tymi i bardhë tregon se kemi një Papë të ri, ndërsa tymi i zi sinjalizon dështim të votimit.

Që një kandidat të zgjidhet në rolin e udhëheqësit të kishës me 1,4 miliardë pjesëtarë duhet të ketë mbështetjen e 2/3 e kardinalëve, në këtë rast 89 të tillë. Në sheshin Shën Pjetër më shumë se 45 mijë besimtarë kanë qëndruar me kokën lart, në drejtim të oxhakut. Kardinali dekan Giovanni Battista Re theksoi se beson që tymi i bardhë do të dalë pasditen e sotme.

Në historinë moderne të Konklavës dy Papë janë zgjedhur në përpjekjen e katërt, Gjon Pali I në 1978 dhe Benedikti XVI në 2005. Ndërkohë, për Papa Françeskun në vitin 2013 u deshën 5 raunde votimi.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *